Konjufca nuk do koalicion me partitë tjera, por vetëm votën për kryeministër

Konjufca nuk do koalicion me partitë tjera, por vetëm votën për kryeministër

Mandatari i ri i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka deklaruar se nuk do të kërkoj marrëveshje koalicioni  me partitë politike, por krijim të një qeverie të re për të shmangur zgjedhjet në dhjetor si dhe për të votuar buxhetin për vitin 2026.

Këtë Konjufca e tha pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosje, ku edhe u propozua si mandatari i dytë i kësaj partie për formim të qeverisë.

“Unë mendoj se ky nuk do të jetë një proces në të cilin ne do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni me partitë politike, ideja ka qenë e thjesht ta krijojmë një qeveri të re për me i shmang dy gjëra shumë të rëndësishme.  E para zgjedhjet  e menjëhershme  dhe e dyta është që të provojmë të bashkëpunojmë me partitë politike parlamentare për të mundur me e pas Kosova buxhetin e saj për vitin 2026. Nëse këto dyja nuk bëhen nuk është në të mirën e Kosovës dhe pikërisht për këtë arsye  LVV më propozoi si mandatar sot unë e pranova  dhe e tëra që na mbetet është që ta shohim tash  veprimin e presidentes”, tha ai.

Teksa deklaroi se pritet që nga momenti në momenti emri i tij si mandatar i dytë të shkoj tek presidentja, Vjosa Osmani, Konjufca beson që me partitë e tjera do të ketë bashkëpunim pozitiv me qëllim të shmangies së zgjedhjeve në dhjetor dhe votimit të buxhetit për vitin 2026.

“Kjo ma merr mendja pritet jo vetëm prej Lëvizjes Vetëvendosje por prej shumicën së qytetarëve të Kosovës, nëse kjo nuk shmanget atëherë Kosova mund t’i ketë 5 palë zgjedhje brenda një viti. Me të vërtetët është shumë e lodhshme për qytetarët e Kosovës edhe kostoja është rreth 40 milionë euro që prej xhepave të juaj keni me i pagua. ….Unë besoj që forcat opozitare do të reflektojnë  dhe do ta kemi një bashkëpunim pozitiv në këtë drejtim  që këto dy gjëra që i shpjegova të ndodhin e para shmangia e zgjedhjeve në dhjetor e dyta votimi i buxhetit të Kosovës”, theksoi ai.

I propozuari i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Konjufca ftoi partitë të tjera t’i thirrin mendjes derisa theksoi se nga subjektet ish-opozitare do të kërkoj bashkëpunim e jo koalicion për qeverisje afatgjate.

“Të gjitha këto janë çështje urgjente e në planin ndërkombëtarë është Plani i Rritjes të Bashkimit Evropian, rrezikojmë ta humbim afatin qindra miliona euro e presin Kosovën edhe për këtë do ua kërkoj bashkëpunimin subjekteve opozitare, ama jo për një qeveri kështu afatgjate me koalicione, vetëm thjesht t’i thirrin mendjes që këto gjëra të kalojnë e tani të bëjnë bash çka të dojnë subjektet opozitare”, shprehet Konjufca.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar për mandatar të dytë për formim të qeverisë nga kjo parti, Glauk Konjufcën.

Propozimin e bëri kryetari i LVV-së, Albin Kurti i cili tha se këtë po e bënë për të shmangur dy palë zgjedhje.

Më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja e vendit, Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme./B.Ibishi/

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë