Nënshkruhet memorandumi, Antonini: Italia do të investojë rreth 10 milionë euro në tri vitet e ardhshme

Me mbështetjen e Ambasadës së Italisë në Kosovë, është nënshkruar sot memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Korporatës SmartCity dhe Universitetit të Prishtinës, një hap ky i rëndësishëm për fuqizimin e bashkëpunimit në arsim, inovacion dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale për të rinjtë kosovarë.
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, theksoi rëndësinë e këtij nënshkrimi.
Antonini tha se Italia do t të investojë rreth 10 milionë euro gjatë tre viteve të ardhshme në sektorin e arsimit, duke mbështetur një rrugë integruese që shtrihet nga arsimi i hershëm deri te trajnimet profesionale dhe universitare.
“Ky nënshkrim forcon lidhjen midis institucioneve tona dhe riafirmon angazhimin tonë të përbashkët për të investuar në arsim, inovacion dhe të ardhmen e të rinjve të Kosovës. Italia beson fuqishëm se arsimimi është motori i përparimit. Në një vend të ri si Kosova, ku më shumë se gjysma e popullsisë është nën tridhjetë vjeç, investimi në arsim do të thotë ndërtimi i themeleve për një shoqëri më të fortë, më të drejtë dhe më të qëndrueshme. Përmes Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), Italia do të investojë rreth 10 milionë euro gjatë tre viteve të ardhshme në sektorin e arsimit, duke mbështetur një rrugë integruese që shtrihet nga arsimi i hershëm deri te trajnimet profesionale dhe universitare. Projekti PEDAKOS II, që fillon së shpejti, do të përmirësojë qasjen dhe cilësinë e arsimit parashkollor. Me projektin tashmë funksional WEMPOWER, promovojmë sipërmarrjen e grave në shërbimet e kujdesit të fëmijëve dhe mbështesim krijimin e ndërmarrjeve të reja arsimore të drejtuara nga gratë”, tha Antonini.
Rektori i Universitetit të Prishtinës , Arben Hajrullahu, foli për rolin e universitetit dhe rëndësinë e bashkëpunimit.
“Për ne, në Universitetin e Prishtinës, është gjithmonë më e lehtë, dhe jemi në rrugën e duhur, kur shohim se të gjithë miqtë tanë, si kolegët tanë italianë tani, nga Ambasada e Italisë dhe nga institucione të ndryshme italiane na mbështesin në misionin tonë. Ne, si universitet, duhet të bëjmë gjithçka të mundur për të përgatitur gjeneratat e reja që të jenë të afta për nevojat e tregut, si dhe të trajnojmë njerëzit të mendojnë në mënyrë kritike se çfarë mund të bëjmë më mirë si universitet dhe si institucione publike. Ne po përballemi me sfida të përbashkëta, por gjithashtu edhe me mundësi të përbashkëta. Ne e dimë se kemi, në universitete të ndryshme në Kosovë, por edhe partnerë në Itali në këtë rast, njerëz që janë të aftë dhe të gatshëm të na ndihmojnë, të bashkëpunojnë me ne dhe të na ndihmojnë të bëjmë më shumë përparim në fushën e inovacionit të vërtetë digjital”, tha Hajrullahu.
Ndërsa, CEO e Korporatës SmartCity, Giulia Agrosi u shpreh se kjo lidhje është e rëndësishme, sipas saj që përfaqëson një qasje të re në mënyrën e të mësuarit në Kosovë.
“Programi ynë ndërkombëtar i studimeve master është i lidhur dhe i ndërlidhur me planifikimin integrues infrastrukturor dhe menaxherial për qytetet inteligjente, që është edhe simbolika e programit tonë Be Smart City. Kjo lidhje e rëndësishme, që përfaqëson një qasje të re në mënyrën e të mësuarit në Kosovë, është e bashkërenduar me simbolin e këtij projekti me start-up-in e parë inovativ me dy degë në Evropë, që quhet Be Smart City Corporation, të cilin e kam zhvilluar përreth pesë vjet”, u shpreh ajo.
E Drejtori gjeneral i CELIM, Davide Raffa tha se studentët e Universitetit të Prishtinës, Ferizaj dhe Gjakovës do të përmirësojnë laboratorët, seminaret për ndërtimin e kapaciteteve, praktikat profesionale dhe certifikimet ne teknologji.
“Studentët e diplomuar të Universitetit të Prishtinës, si dhe ata të Ferizaj dhe Gjakovës, si dhe nga katër shkolla profesionale të këtyre tre qyteteve, do të përmirësojnë laboratorët, seminaret, dhe aftësitë e buta, seminaret për ndërtimin e kapaciteteve, praktikat profesionale dhe certifikimet në IT”, tha ai.
Me anë të këtij memorandumi parashihet zhvillimi i personelit dhe aftësive profesionale dhe sipërmarrjes së të rinjve dhe grave (PROJEKTI OPIK)”, që do të zbatohet në Kosovë, në rrethet e Ferizajt, Gjakovës dhe Prishtinës, bashkëfinancuar nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit-AICS.
