Minatorët kërkojnë rritje pagash dhe kushte më të mira pune

Sindikata e minatorëve në ndërmarrjen publike Trepça, ka kërkuar nga menaxhmenti i ndërmarrjes që të ndërmerren hapa konkretë për rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës, duke theksuar se puna dhe sakrificat e minatorëve nuk po vlerësohen në mënyrë të drejtë.
Në një kërkesë drejtuar menaxhmentit dhe qytetarëve, kryesia e sindikatës thekson se minatorët kanë duruar për vite me radhë pa kërkuar rritje pagash, ndonëse çmimet dhe inflacioni janë rritur ndjeshëm.
“Të gjithë po ndjejmë çdo ditë rritjen e çmimeve, rritjen e inflacionit dhe vështirësitë në jetën ekonomike. Ne, minatorët, prej shumë vitesh kemi punuar me durim dhe solidaritet për ndërmarrjen tonë, duke shpresuar që gjendja të përmirësohet, dhe kemi duruar pa kërkuar rritje pagash, edhe pse sektorë të tjerë kanë pasur lëvizje dhe përmirësime. Tani që qeveria ka paralajmëruar rritje pagash për sektorët publikë dhe ka premtuar pagën e 13-të, është normale dhe e drejtë që edhe menaxhmenti i ndërmarrjes sonë të bëjë hapa konkretë për rritje të pagave të minatorëve,” thuhet në reagim e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve në Trepçë.
Sipas sindikatës, gjatë vitit të fundit ka pasur rritje të dukshme të prodhimit, e cila është rezultat i drejtpërdrejtë i përkushtimit të punëtorëve.
“Ky sukses nuk do të kishte ndodhur pa përkushtimin e minatorëve. Prandaj, kërkojmë që puna jonë të shpërblehet me rritje pagash, ashtu si në sektorët tjerë publikë dhe privatë,” thuhet më tej.
Minatorët paralajmërojnë se çdo ditë rrezikojnë jetën dhe shëndetin në kushte të vështira pune, shpesh pa mjete të mjaftueshme mbrojtëse dhe pa një ligj të veçantë që t’i mbrojë. Ata kërkojnë që menaxhmenti të marrë masa të menjëhershme për të siguruar mirëqenien e punëtorëve.
“Sot është koha për vendime konkrete që garantojnë respekt dhe dinjitet për minatorët,” përfundon reagimi i sindikatës.
Me projektbuxhetin për vitin 2026, Qeveria në detyrë ka paraparë edhe pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik, rritje të pensioneve dhe shtesave për fëmijë.
