KOK dhe federatat sportive nënshkruajnë deklaratën që promovon barazinë gjinore në sport

Me qëllimin për ta promovuar dhe fuqizuar rolin e gruas brenda dhe jashtë fushës sportive, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe federatat sportive vendore kanë nëshkruar deklaratën “Brighton Plus Helsinki”, e cila është një dokument ndërkombëtar që promovon barazinë gjinore në sport.
Nënshkrimin e kësaj deklarate, presidenti i KOK ut, Ismet Krasniqi e quajti moment historik për sportin e Kosovës pasi përmes saj po bëhet një hap vendimtar që gratë ta kenë të garantuar përfshirjen e tyre në sport, si mjet për barazi dhe unifikim.
Ai tha se ky nënshkrim është fillimi i një pune të përbashkët për të nisur politika të reja në unifikimin e sportit në aspektin gjinor.
Ndërsa, Annamarie Phelps, kryetare e Sekretariatit të Mbretërisë së Bashkuar dhe bashkëkryesuese e Komitetit Ekzekutiv Global të “IWG Women and Sport”, theksoi se Kosova ka numër të madh të grave të suksesshme në sport dhe tani është koha që institucionet drejtuese të sportit në Kosovë të tregojnë që janë të interesuara që duan t’u japin grave hapësirën e merituar në sport.
Sipas saj një hap si ky që po ndërmerret sot, është dëshmi që Komiteti Olimpik i Kosovës ka përkushtimin e nevojshëm që barazia gjinore ka rëndësi jetike për të ardhmen e sportit dhe zhvillimin e tij pa dallime dhe se kjo garanton qasje gjithëpërfshirëse në njërën nga fushat më të rëndësishme ku nevojitet trajtim i barabartë pët të gjithë, siç është sporti.
Për rëndësinë e nënshkrimit të kësaj deklarate foli edhe Drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Sportit, Ibër Alaj. Ai theksoi se angazhimi për gruan në shoqëri është vlerë demomratike dhe se MKRS e mbështetë përfshirjen dhe barazinë e gruas në sport dhe se kjo ministri do të mbështesë çdo iniciativë që i jep shytje barazisë gjinore në sport.
Përveç KOK-ut dhe federatave sportive, deklarata është nënshkruar edhe nga organizata joqeveritare që merren me të drejtat e grave, si dhe universitete nga vendi.
