Abdixhiku pas takimit me Osmanin: Për pak ditë caktohet data e zgjedhjeve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se u dëshmua se nuk ka shumicë parlamentare për të formuar qeverinë e re.
Abdixhiku ka thënë se gjatë takimit nga të gjithë u diskutua edhe për qeverinë e unitetit, në mënyrë që të shmangin krizat eventuale që vinë në Republikën e Kosovës.
“Flitej për unitet, për tranzicion, për zgjedhje të krizës, pra flitej për konceptin e kalimin e çështjeve që ne i kishim paraqit në 15 pikëshin. Më lejoni të them që në këtë takim është bërë e qartë që nuk ka shumicë parlamentare, rrjedhimisht tani i takon presidentes, deri të mërkurën me datë 5 të përcaktojë nëse ka ose nuk ka shumicë. Pati edhe pretendime nga kryetari i LVV-së që ndoshta duhet provuar edhe një herë por shumica e partive politike që e përbëjnë shumicën shqiptare, pra 52 deputetë, ishin të qartë, duke u deklaruar që nuk ka shumicë”, tha ai, duke shtuar se nuk kanë folur për data dhe marrëveshje politike, por në takim ishin për të dhënë qëndrimet e partive politike dhe presidentja të vlerësojë nëse ka shumicë parlamentare.
“U diskutua për planin e rritjes dhe trajtimin e një faze kalimtare të buxhetit, jo këtë programin elektoral që e prezantuan sot. Pra u fol për një mundësi të vazhdimit të buxhetit të vjetër por qëndrimi i jonë është shumë i qartë, sa më herët që i caktojmë zgjedhjet, më herët bëhet qeveria e re dhe më herët qeveria e re e bën buxhetin e ri të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Ai është pyetur edhe për formimin e komisioneve, ku tha se nuk ka hapësirë ligjore.
“Nuk ka hapësirë ligjore të trajtuar çështje të kuvendit ku për pak ditë duhet të përcaktojmë datën e zgjedhjeve”, tha ai.
