Szczesny zbulon sekretin si e priti penalltinë e Mbappes

Portieri polak Wojciech Szczesny ka treguar çelësin e suksesit të tij në pritjen e penalltisë së Kylian Mbappé gjatë El Clásico-s së fundit. Në një intervistë për mediat zyrtare të Barcelonës, ai zbuloi mënyrën e detajuar se si përgatitet për raste të tilla.
“I studioj shumë gjuajtësit e penalltive para ndeshjeve. Zakonisht shikoj 20 penalltitë e fundit të ekzekutuara nga dy ose tre lojtarët që zakonisht i marrin përsipër. Përpiqem të gjej një model në mënyrën si gjuajnë. Ndonjëherë edhe mënyra si përgatiten para goditjes më jep informacion. Ka lojtarë që ndryshojnë stilin në varësi të rezultatit apo presionit të ndeshjes. Mblidh gjithë këtë informacion dhe pastaj ndjek instinktin tim,” tha Szczesny.
Portieri pranoi se kishte analizuar me kujdes Mbappé-n para përballjes me Real Madridin. “Ai shënoi penalltinë e fundit kundër meje. Këtë herë ndihesha i sigurt dhe e dija që do të zgjidhte të njëjtën anë. Duhet edhe pak fat, dhe për fat të mirë ndodhi siç e prisja,” shtoi ai.
Szczesny foli edhe për qasjen e tij emocionale ndaj ndeshjeve, duke theksuar rëndësinë e kontrollit mendor. “Jam shumë i përqendruar gjatë lojës. Kam mësuar herët në karrierë se emocionet nuk më ndihmojnë, prandaj përpiqem t’i lë jashtë fushës. Pas Clásico-s të gjithë po ziheshin, por unë mendova vetëm se e humbëm dhe duhet të ecim përpara,” shpjegoi ai.
Polaku theksoi se meditimi dhe frymëmarrja janë pjesë e rutinës së tij para dhe gjatë ndeshjeve. “Bëj ushtrime frymëmarrjeje para ndeshjes dhe në pushimin e pjesës së parë, edhe pse njerëzit më shikojnë çuditshëm. I rekomandoj të gjithëve të punojnë me frymëmarrjen, si në kushte të ftohta ashtu edhe të nxehta,” përfundoi Szczesny.
