Shoqëria civile: Qeveria në detyrë shkeli Kushtetutën gjatë procedimit të projektbuxhetit 2026

Shoqëria civile: Qeveria në detyrë shkeli Kushtetutën gjatë procedimit të projektbuxhetit 2026

Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar pas mbledhjes së sotme të Qeverisë në detyrë, duke e cilësuar të paligjshëm procedimin dhe miratimin e Projektligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2026.

Në reagimin e 14 organizatave të shoqërisë civile, potencohet se veprimi i Qeverisë bie ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pasi sipas tyre, në votim morën pjesë persona të cilët tashmë janë të certifikuar si deputetë të Kuvendit të Kosovës.

“Sipas ligjit dhe aktgjykimeve të Gjykatës Supreme, një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e ministrit dhe atë të deputetit. Për këtë arsye, nënshkruesit e projektligjit është dashur të jenë vetëm ministra dhe zëvendësministra që nuk janë certifikuar si deputetë,” thuhet në reagim.

Shoqëria civile vlerëson se mënyra se si është zhvilluar procesi “cenon vlefshmërinë e vet ligjit për buxhetin” dhe përbën shkelje të parimeve të sundimit të ligjit.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se respektimi i rendit kushtetues dhe vendimeve gjyqësore është thelbësor për ruajtjen e stabilitetit institucional në një fazë të ndjeshme politike, ku vendi po përballet me zgjedhje lokale dhe me paralajmërime për zgjedhje të përgjithshme.

“Çdo tentativë për të anashkaluar ligjin e Qeverisë, aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe Kushtetutën dëmton jo vetëm procesin e miratimit të buxhetit, por edhe parimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë,” thekson reagimi.

Sipas organizatave, projektligji i buxhetit është përgatitur pa një qasje gjithëpërfshirëse institucionale dhe pa konsultim me partitë politike, gjë që, sipas tyre, “thellon krizën politike dhe pengon arritjen e konsensusit të nevojshëm për miratimin e tij”.

Në fund, shoqëria civile paralajmëron se, në rast të një ngërçi të ri institucional, mungesa e një buxheti të miratuar ligjërisht mund të çojë në destabilitet financiar dhe në vështirësi serioze për funksionimin e shtetit.

Qeveria në detyrë sot ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2026 në vlerë 4 miliardë euro, si dhe mori një sërë vendimesh për rritjen e pagës minimale, rritjen e pensioneve dhe shtesave për fëmijë.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë