Jashari kthehet në stërvitje me Milanin pas dy muajsh

Mesfushori zviceran Ardon Jashari më në fund është gati të nisë aventurën e tij me Milanin. Pas më shumë se dy muajsh mungesë për shkak të një frakture të fibulës, e pësuar në stërvitje menjëherë pas transferimit nga Club Brugge për mbi 40 milionë euro, ai do t’i bashkohet grupit të kuqezinjve nga nesër.
Bashkë me të do të rikthehet edhe mbrojtësi i majtë Pervis Estupinan, i cili ka kaluar një ndrydhje të kyçit të këmbës. Ekuadoriani pritet të jetë në dispozicion të trajnerit Massimiliano Allegri për ndeshjen e së dielës kundër Romës, megjithëse është e vështirë që ta nisë nga minuta e parë.
Jashari, ndërkohë, nuk do të jetë ende gati për këtë ndeshje. Ai do të vazhdojë punën për të rikthyer formën e plotë fizike dhe mund të jetë i gatshëm pas pushimit të nëntorit, në derbin e 23 nëntorit. Allegri e sheh zviceranin si alternativë për rolin e organizatorit para mbrojtjes, për ta ndihmuar Luka Modricin, i cili ka luajtur çdo ndeshje deri tani.
Ndërkohë, Milani po përballet me disa probleme dëmtimesh. Adrien Rabiot dhe Christian Pulisic pritet të kthehen pas pushimit ndërkombëtar, ndërsa Fikayo Tomori do t’i nënshtrohet testeve mjekësore për shkak të një shqetësimi në gjurin e djathtë.
