“Do të jetë dhëndër Shqipërie”, Aliu: Ta bëjmë Portin e Durrësit konkurrent në gjithë rajonin

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku, ka prezantuar sot drejtorin e ri të Portit të Durrësit, Liburn Aliun.
Duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të këtij projekti strategjik për Shqipërinë, Balluku ka nënvizuar se procesi për ndërtimin e një porti të ri në afërsi të Durrësit ka filluar vite më parë dhe do të përfundojë para vitit 2030, si pjesë e strategjisë për zhvillimin e sektorit detar dhe vizionit të Shqipërisë 2020-2030.
Balluku theksoi se më 31 janar do të shpallet fituesi i garës për ndërtimin e Portit të Durrësit.
Ajo shtoi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë shprehur interes për të qenë pjesë e projektit, përmes krijimit të porteve të thata në Shkup dhe Prishtinë, duke forcuar kështu bashkëpunimin rajonal dhe zinxhirin logjistik të Ballkanit Perëndimor.
“Procedura ndërkombëtare ka qenë transparente dhe me interes të lartë. Sot kemi arritur në fazën e fundit për ndërtimin e këtij porti. 5 kompani të huaja kanë garuar dhe në datën 31 janar do të shpallet fituesi i garës ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri të Durrësit. Brenda vitit 2026 do të nisë ndërtimi në Porto Romano, ndërsa brenda tre viteve ky port do të jetë plotësisht funksional dhe operativ. Kemi ndjekur një proces të gjatë i cili do përfundoj para vitit 2030. Siç parashikohet në vizionin e Shqipërisë 20-30 në strategjinë për zhvillimin e sektorit detar. Kemi nisur prej kohësh, vitesh një plan zhvillimi të një porti të ri në afërsi të Durrësit”, tha ajo.
Balluku shtoi se porti i Durrësit është i Shqipërisë, i Kosovës, e i gjithë shqiptarëve.
Madje, ajo foli edhe për jetën private të Liburn Aliut dhe nga pritet të anoj ai, nga Shqipëria apo Koosova.
“Ai (Aliu) më tha që kam vendosur të dalë nga politika e të vij të jetojë në Shqipëri, duhet ta dini që (Liburni) do jetë dhëndër Shqipërie. Kështu që më shumë anon këndej, nga qytetari shqiptar tashmë, se sa nga ai i Kosovës. Megjithatë, porti është i Shqipërisë, i Kosovës, e i gjithë shqiptarëve”, theksoi Balluku.
Ish-ministri i Infrastrukturës në Kosovë, tani drejtor i ri Portit të Durrësit, Liburn Aliu, theksoi se ky port bart një rëndësi të veçantë si për Kosovën ashtu edhe për gjithë rajonin.
Aliu vuri në dukje se është e domosdoshme modernizimi i këtij porti dhe të jetë konkurrent për të gjithë rajonin.
“Kjo është një detyrë mjaft sfiduese. Porti i Durrësit nuk është vetëm një port i Republikës së Shqipërisë është port i gjithë shqiptarëve, është port i rajonit. Është port që Kosova pjesën dërrmuese të mallrave e merr përmes portit të Durrësit. Gjysma e mallrave që shkojnë drejt Kosovës nëpër rrugën e Kombit, një pjesë shkojnë drejt Maqedonisë së Veriut, është e domosdoshme që ky port të modernizohet në shkallën që të jetë sfidues dhe të jetë konkurrent për të gjithë rajonin”, tha Aliu.
Sipas tij, për t’u realizuar modernizimi i këtij porti pasi në “aspektin gjeopolitik Maqedonia e Veriut por edhe Kosova si pika nga ku mallrat shpërndahen në të gjithë rajonin”.
“Për t’u realizuar kjo është e domosdoshme të shihet në aspektin gjeopolitik, të shihet Maqedonia e Veriut por edhe Kosova si pika nga ku mallrat shpërndahen në të gjithë rajonin. Kam pasur nderin që të punoj së bashku me zëvendëskryeministren në forume të ndryshme të rajonit, në Bruksel dhe kudo. Qasja që kemi bërë për të gjithë rajonin na ka bërë që ne si dy vende të kemi një platformë mjaft të qartë për zhvillimin e transportin dhe modalitetin në të gjithë rajonin dhe kjo do ta bënte edhe Kosovën edhe Shqipërinë të ndërvarura me njëra-tjetrën”, deklaroi më tej Aliu.
Ai solli në vëmendje edhe aspektin e sigurisë që luan porti shqiptar nisur nga fakti që Shqipëria është edhe anëtare e NATO-s.
“Kosova ka nevojë të ketë lidhje të forta me portin e Durrësit në mënyrë që përmes saj të shpërndahen mallrat në gjithë rajonin. Porti i NATO-s që do të jetë krahas portit të mallrave në Porto Romano do të ndihmojë gjithë rajonin që të ketë siguri. Është detyrë dhe sfidë që portin e NATO-s krahas portit të mallrave të ndërtohet ashtu siç duhet dhe të ketë lidhje komunikimi qoftë hekururdhore, qoftë automobilistike me gjithë rajonin”, shpjegoi Liburn Aliu.
Nga pozita e ministrit të Infrastrukturës, Planifikimit Hapësinor dhe i Ambientit në Kosovë, Liburn Aliu pati dhënë dorëheqje në gusht 2025, vetëm një ditë pasi u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.
