Çaj apo kafe? Në Kosovë përgjigjja tregon moshën tuaj!

Çaj apo kafe? Në Kosovë përgjigjja tregon moshën tuaj!

Agimi sapo ka zbardhur kur punëtorët, ende me sy të rënduar nga gjumi, hapin derën e njërës prej çajtoreve në Vushtrri, i vetëshpalluri “kryeqytet i çajit” i Ballkanit, por që tani ndodhet nën ”sulm” nga një brez i ri i dashamirësve të kafesë ekspres apo makiatos.

E vendosur nën minarenë e xhamisë, çajtorja shërben një zinxhir “çajrash rusë” – një çaj i zi shumë i fortë, që zihet ngadalë në dy kazanë të vendosur njëri mbi tjetrin, pastaj pihet nga gota në formë tulipani.

“Ne hapemi menjëherë pas orës 04:00 për të qenë gati për punëtorët që vijnë para se të fillojnë punën”, shpjegon Nebih Gerxhaliu duke qëndruar para çajtores së tij, shkruan AFP.

Brenda, çaji pihet si në Turqi, i ëmbëlsuar ose me një fetë limoni.

Që kur kështu?

Askush nuk mund ta datojë me saktësi mbërritjen e çajit në Kosovë, gjatë pushtimit osman apo rus.

Sidoqoftë, pasioni për çajin është i paprekur këtu: në Vushtrri, ka një çajtore për 1 000 banorë.

“Nuk mund të jesh nga Vushtrria dhe të mos e duash çajin”, përmbledh Gerxhaliu.

– Brezi i makiatos –

Por, 30 kilometra më tej, në kryeqytetin Prishtinë, kafeja mbretëron supreme – dhe krenohet se është ndër më të mirat në botë, transmeton ATSh.

“Makiatoja jonë është vërtet më e mira”, pohon Fisnik Mexhuani, i cili e shërben atë në pastiçeri të quajtur ”Matisse”.

Me makinën e saj të shkëlqyeshme italiane të espressos, ”Matisse” është një nga dhjetëra kafenetë që shërbejnë makiato gjatë gjithë ditës, një espresso të mbuluar me një dozë të vogël shkume qumështi.

Kafeja turke ishte shfaqur shpejt në Kosovë, por që nga lufta e pavarësisë e viteve 1998-1999, kafenetë e stilit perëndimor janë përhapur mjaft.

Sepse konflikti dhe vitet e paqeruajtjes që pasuan sollën pjesën e tyre të ushtarëve, diplomatëve dhe punonjësve humanitarë të huaj që banonin në Kosovë me pijen e tyre të preferuar, transmeton ATSh.

Pak nga pak, brezat e rinj të Kosovës janë joshur dhe tani kanë më shumë gjasa të porosisin një makiato sesa një çaj.

“Po ndodh një ndërrim brezash”, vëren pronari i ”Matisse”.

“Të moshuarit, të cilët ishin më të interesuar për çajin, po largohen. Dhe po mbërrijnë klientë të rinj që pinë gjithnjë e më pak çaj”, shton ai.

Si rezultat, kanë mbetur vetëm dy kafene në qendër të Prishtinës. Të tjerat janë zhvendosur në periferi.

– Kthim? –

Por, disa kafene po përpiqen të përfitojnë nga ringjallja e çajit – si ”Trosha”, një zinxhir gjithnjë e më popullor. Pronari i saj, Arben Avdiu, shpreson të përziejë me sukses të vjetrën dhe të renë.

“Trosha’ është një vend ku këto dy kultura ndërthuren sot”, shpjegon ai duke skicuar idenë e një të ardhmeje ku çaji dhe kafeja të bashkëjetojnë.

Por, midis puristëve të Vushtrrisë, nuk ka asnjë shans për të parë një filxhan kafeje ekspres.

“Nëse do të më ofroheshin 100 kafe, nuk do të pija asnjë,” buzëqesh Burhan Çollaku, një pensionist, duke shijuar një nga 10 deri në 15 çajrat e tij të përditshme.

Për Nesim Ispahiun, një poet dhe fotograf i njohur për përjetësimin e kulturës së çajtoreve, Vushtrria do të jetë gjithmonë “kryeqyteti i çajit”.

“Nëse vini për vizitë dhe nuk pini çaj, është sikur të mos keni ardhur kurrë”, thotë 90-vjeçari.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë