Rritet numri i turistëve në Kosovë, kërkohet themelimi i Ministrisë së Turizmit

Rritet numri i turistëve në Kosovë, kërkohet themelimi i Ministrisë së Turizmit

Turizmi në Kosovë po vazhdon trendin pozitiv të rritjes nga viti në vit. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025 është shënuar një rritje prej 5.6 për qind të vizitorëve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

Nga viti 2020 e deri më sot, numri i turistëve që kanë vizituar Kosovën është rritur. Në vitin 2020, Kosova u vizitua nga 151 mijë e 816 turistë, të cilët realizuan 266 mijë e 491 net-qëndrime. Ndërsa, në vitin 2021 ky numër u dyfishua, duke arritur në 355 mijë e 141 vizitorë, dhe më pas 460 mijë e 467 turistë në vitin 2022. Rritja vazhdoi në vitin 2023, kur vendi u vizitua nga 621 mijë e 486 turistë, me gjithsej 698 mijë e 68 net-qëndrime.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, në emisionin e fundit “Shtylla”, prodhim i KosovaPress kërkon nga institucionet që të trajtojnë sektorin e turizmit si prioritet dhe të krijojnë politika të qarta zhvillimore. Ai ka propozuar që Kosova të krijojë një Ministri të veçantë për Turizëm, e cila do të merrej ekskluzivisht me zhvillimin e këtij sektori strategjik.

Ndiqeni emisionin e plotë “Shtylla” këtu:

Hoti përmendi disa praktika rajonale që Kosova duhet t’i marrë shembull, si subvencionimi i vizitorëve për net-qëndrime të gjata dhe ulja e TVSH-së për shërbimet turistike.

Se Kosova është vend tërheqës për t’u vizituar, e thonë edhe disa nga turistët që kanë vizituar Kosovën, të cilët e kanë vlerësuar vendin për çmimet e ulëta, ushqimin e mirë dhe mikpritjen e njerëzve.

Një turiste e cila ka ardhur nga Suedia, thotë se çmimet këtu krahasuar me vendin ku jeton janë shumë më të lira.

Edhe një turiste tjetër nga Zvicra, tregon pse i pëlqen Kosova për të vizituar.

Ndërsa, një turist tjetër nga Suedia thotë se këtu në Kosovë ushqimi është shumë i mirë dhe me çmim më të lirë krahasuar me vendin ku jeton.

Derisa, Xhavit Jusufi, menaxheri i restaurantit “Vila Gërmia” tregon për kërkesat e turisteve sa i përket shërbimeve, duke filluar nga ushqimi.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në një përgjigje me shkrim për KosovaPress ka treguar Planin e Veprimit të Strategjisë.

“Qeveria e Kosovës, në programet e saja qeverisëse, e trajton zhvillimin e sektorit të turizmit si njërin nga prioritetet e saja. Në Programin Qeverisës 2021-2025, që konsiderohet si dokument bazë për punën e qeverisë, zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm nënvizohet si njëra nga fushat me prioritet për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. MINT gjatë vitit 2024 ka hartuar Strategjinë e Turizmit të Kosovës 2024-2030, ku përmban 5 objektiva strategjike, objektivi 1: Rritja e aktiviteteve pormovuese, Objektivi 2: Krijimi dhe avancimi i infrastrukturës cilësore dhe të qëndrueshme për zhvillim të turizmit, Objektivi 3: Zgjerimi i ofertës turistike sipas standardeve të qëndrueshmërisë dhe rritja e konkurrueshmërisë, Objektivi 4: Ngritja e kapaciteteve njerëzore për rritje të kuadrove në treg të punës dhe përmirësim të shërbimeve. Objektivi 5: Avancimi i kornizës rregullative dhe të politikave të turizmit. Përmes Strategjisë së Turizmit të cilën e miratuam vitin e kaluar, synojmë që të zhvillojmë një turizëm të qëndrueshëm dhe konkurrues në rajon”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga MINT.

Ndërsa, sa i përket tri vendeve më të vizituara, sipas MINT, janë Prishtina, Peja dhe Prizreni.

“Prishtina, për shkak se është kryeqendra e shtetit të Kosovës, afërsisë së aeroportit, lidhjes me infrastrukturën rrugore dhe ngjarjeve të shumta kulturore e sportive që zhvillohen aty. Turet ballkanike e kanë gjithashtu Prishtinën brenda itinerareve të tyre. Peja: për shkak të potencialit natyror dhe kulturor, por edhe sepse ekzistojnë tashmë shumë produkte turistike të reja të turizmit aventuror që ofrohen përmes tour-operatorëve të shumtë në këtë rajon. Prizreni: për shkak të potencialit historik dhe kulturor, përfshirë monumentet e trashëgimisë historike-kulturore dhe imazhit si qyteti më i bukur në Kosovë. Gjithashtu për shkak të tolerancës ndërkulturore e fetare që ka komuniteti. Një ndikim shumë të madh në sjelljen e vizitorëve kanë ngjarjet kulturore, veçanërisht festivale si DokuFest”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga MINT.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), dhe të përpunuara nga Departamenti i Turizmit, gjatë vitit 2024 Kosova ka pritur gjithsej 698,068 vizitorë, që përbën një rritje prej 12% krahasuar me vitin paraprak. Rritja është fokusuar sidomos te vizitorët e jashtëm, ku gjatë vitit 2024 kishte rritje për rreth 18,3% krahasuar me vitin paraprak. Numri i net-qëndrimeve ishte 1,522,890, prej të cilave 54,3% nga të huajt. Sa i përket periudhës 6-mujore të vitit 2025, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) ka qenë 341,506, sipas të dhënave të raportuara nga hotelet në nivel të Kosovës.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë