Instituti Max Planck mbështet kërkimin fosilor të Muzeut të Historisë Natyrore të Bullgarisë

Instituti Max Planck për Antropologjinë Evolucionare në Leipzig po mbështet kërkimin e gjuetisë së fosileve të Muzeut Kombëtar të Historisë Natyrore në Akademinë Bullgare të Shkencave (NMNH-BAS).
Gërmimet do të fillojnë në shtator 2025, me paleoantropologun e njohur të Universitetit të Torontos, David Begun, që do t’i bashkohet ekipit të muzeut për të tretin vit radhazi, tha ekipi i NMNH-BAS, raporton BTA, përcjell KosovaPress.
Që nga fillimi i gushtit 2025, NMNH-BAS ka pasur një memorandum bashkëpunimi me Institutin Max Planck, sipas të cilit institucioni gjerman do të financojë gërmimet e muzeut gjatë tre viteve të ardhshme.
Projekti përqendrohet në kërkimin e fosileve të hominideve të Miocenit të Vonë në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, në bashkëpunim me Muzeun e Historisë Natyrore në Shkup.
Gërmimet në Azmaka pranë Chirpan, të udhëhequra nga Nikolai Spassov, kanë tërhequr vëmendjen ndërkombëtare me zbulimin e një femuri hominidi 7.2 milionë vjeçar. Ky është zbulimi i dytë i tillë nga ekipi i NMNH-BAS, pas zbulimit të një dhëmbi hominidi në vitin 2012 në të njëjtin vend.
Besohet se femuri i përket Graecopithecus, një hominid i Miocenit të Vonë i përshkruar për herë të parë nga një nofull e poshtme e zbuluar pranë Athinës gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Sipas shkencëtarëve, gjetja është e rëndësishme sepse ofron njohuri mbi lëvizjen e këtij hominidi të fundit të njohur evropian para-njerëzor.
Studimet e përfunduara të femurit kanë dhënë tashmë rezultate shumë interesante në lidhje me fazat më të hershme të evolucionit njerëzor, tha gjithashtu NMNH-BAS.
