Meeting of Styles pushton Prishtinën, marrin pjesë mbi 100 artistë nga e gjithë bota

Nga data 8 deri më 10 gusht rrugët e Prishtinës shpërthejnë në ngjyra ndërsa festivali Meeting of Styles sjell edicionin e tij të nëntë që synon promovimin e artit urban, raporton KosovaPress.
Si festivali më i madh ndërkombëtar i artit rrugor në vend, Meeting of Styles Kosova këtë vit sjell artistë nga bota për të shndërruar muret publike në murale mahnitëse me temën “Kauza e zgjedhur”, një thirrje për të eksploruar unitetin dhe mënyrën se si zgjedhjet tona të përditshme formojnë botën përreth nesh.
Drejtori i festivalit, Agon Xhelili, tha se ky është festivali i vetëm në Prishtinë ku çdo aktivitet është i hapur dhe falas për publikun, me pjesëmarrjen e mbi 100 artistëve nga rreth 30 shtete.
Në kuadër të festivalit janë organizuar aktivitete të ndryshme edukative dhe artistike, përfshirë gara të grafitit për fëmijë, punëtori krijuese dhe program muzikor me performues nga vendi, rajoni dhe bota.
Sipas organizatorëve, festivali jo vetëm që shërben si platformë për shprehjen artistike, por edhe si një hap drejt rritjes së ndërgjegjësimit qytetar dhe kujdesit ndaj hapësirës publike.
Vera Bunjaku, vullnetare e festivalit, tha se aktiviteti është një natë edukative për fëmijët, ku mësojnë për historinë e grafitit. Ajo theksoi se ky është viti i dytë që janë vullnetarë, por që festivali ka nisur para tri vjetësh në rrugën B në kryeqytet.
Hera Jakupi, vullnetare e festivalit, shpreh shpresën që do të vlerësohet më shumë arti dhe punën që bëjnë artistët për të zbukuruar qytetin. Ajo thekson rëndësinë e kuptimit të artit në jetën e përditshme, duke përfshirë si fëmijët, ashtu edhe të rriturit.
Meeting of Styles është një rrjet ndërkombëtar artistësh dhe mbështetësish të grafitit, i cili sponsorizon evente krijimi i muraleve me grafite në vende të ndryshme të botës. Ideja lindi në vitin 1995 në Gjermani, dhe u riorganizua nën emrin aktual në vitin 2002.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.





