Sezoni turistik në Tropojë, Bashkia me plan masash për një sezon të mbarë

Ka disa kohë që turizmi në Tropojë të Shqipërisë nuk ka një ndasi sezonale, i kthyer thuajse në gjithëvjetor, por sigurisht vera mban peshën kryesore të prurjeve me destinacion zonat turistike. Në këtë kontekst, Bashkia e Tropojës, duke bashkëpunuar ngushtë me operatorët turistikë, ka punuar për të pasur një sezon sa më të mbarë.
Aranit Imeraj, përgjegjës i sektorit të turizmit në Bashkinë e Tropojës, thotë se pritet një sezon edhe më i mbarë se vitin e kaluar.
“Janë marrë masa nga Bashkia e Tropojës për pastrimin e rrugëve me destinacion turistik, për mirëmbajtjen e lulishteve, si dhe janë krijuar hapësira për parkim. Janë marrë të gjitha masat që sezoni turistik të shkojë sa më mbarë,” tha Imeraj.
Prurjet janë nga të gjitha shtetet e botës, por Europa Perëndimore dhe disa nga shtetet e Lindjes mbajnë peshën kryesore.
“Kemi kryesisht nga Gjermania, Çekia, Holanda, Norvegjia, pra nga e gjithë Europa. Edhe nga Amerika kanë ardhur për ta vizituar.”, tha ai.
Për Tropojën tashmë nuk ka vetëm një destinacion, siç ishte dikur Lugina e Valbonës, por gjeografia e destinacioneve turistike është shtrirë në të gjitha anët, që nga Valbona, në Nikaj-Mërtur, Fierzë, Llugaj, Lugina e Komanit, e të tjera, transmeton RTSH.
“Është shtrirë edhe në vende sikurse Nikaj-Mërtur, që ka edhe plane për ta zhvilluar atë zonë, pasi është shumë zonë e mirë turistike. Kemi edhe zonën e Bjeshkëve, ku janë ngritur bujtina. Janë bjeshkë shumë të mira që kanë liqene dhe kullosa,” shprehet përgjegjësi i sektorit të Turizmit në Tropojë.
Rreth 250 mijë turistë është shifra e përafërt e sezonit të kaluar në Tropojë, e kjo shifër pritet të rritet gjatë vitit 2025.
