Neymar i shkruan Rodrygos: Jam këtu për ty, trashëgimtari im

Lajmi për dëmtimin e rëndë të sulmuesit të Rodrygo ka tronditur Brazilin dhe kampin e Kombëtares. Përfaqësuesja braziliane, e drejtuar nga Carlo Ancelotti, do të mbetet pa një nga yjet kryesore, pasi lojtari i Real Madridit ka këputur ligamentin kruciat dhe meniskun anësor në këmbën e djathtë, duke humbur kështu mundësinë për të qenë pjesë e Kupës së Botës.
Pas konfirmimit të lëndimit, mbështetje publike i ka ardhur nga bashkatdhetari i tij, Neymar, i cili ka publikuar një mesazh të gjatë në rrjetet sociale. Ai ka theksuar se lajmi për dëmtimin e Rodrygos e ka prekur thellë, duke kujtuar edhe përvojat e tij me lëndime të rënda gjatë karrierës. Neymar i është drejtuar atij me fjalë inkurajuese, duke i kërkuar të kujdeset për gjendjen mendore dhe të qëndrojë pranë familjes e njerëzve të dashur gjatë kësaj periudhe të vështirë.
“Kur dëgjova për lëndimin, një film më kaloi para syve. Të gjitha vuajtjet, gjithë ankthi dhe frika e përjetimit të këtij lëndimi mu përsëri! “, shkroi ish-lojtari i Barçës, i cili më pas iu drejtua drejtpërdrejt Rodrygos:
“Numri im 10, djali im, trashëgimtari im (siç të quaj unë), të kërkoj vetëm një gjë… kujdesu për veten tënde. Tani është koha që të kesh të gjithë njerëzit që të duan pranë teje. Dhe siç the, nuk e meritoje të kaloje nëpër të gjitha këto tani, por kush jemi ne që të dyshojmë në planet e Zotit ?” Pastaj në fund mesazhi inkurajues: “Vëlla i vogël, jam i sigurt që do të kthehesh duke fluturuar”, përfundoi Neymar.
Në fund të mesazhit, ylli brazilian ka shprehur bindjen se Rodrygo do të rikthehet më i fortë, duke shtuar se do të jetë pranë tij gjatë gjithë kohës. Reagimi i Rodrygos ka qenë i menjëhershëm, teksa ai e ka falënderuar Neymarin për mbështetjen dhe ka theksuar se, ndonëse situata është e vështirë, besimi e ndihmon ta përballojë këtë sfidë.
