Kosova ka më së shumti Fatime e Bajrama të regjistruar gjatë Regjistrimit të Popullsisë 2024

(E përmirësuar)
Emrat, Fatime dhe Bajram, janë emrat më të përhapur në Kosovë, sipas të dhënave të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos) 2024, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas një komunikate nga ASK-ja, emrin Fatime e mbajnë 6 339 gra, ndërsa atë Bajram, 4 485 burra.
Por, derisa këto shifra pasqyrojnë vetëm popullsinë rezidente të regjistruar gjatë Regjistrimit të Popullsisë 2024, këta dy emra janë larg më të përhapur tek shtetasit e Kosovës, kur përfshihet edhe mërgata.
Diçka e tillë vërtetohet, kur krahasohet kjo shifër me burimet administrative nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC), e cila përfshin të gjithë personat që kanë dokumente të Republikës së Kosovës, edhe ata që jetojnë jashtë vendit. Aplikacioni “Kërko emrin” në webfaqen e ASK-së, është i lidhur direkt me bazën e të dhënave të ARC-së, ku qytetarët mund të kërkojnë për emrat, ndërsa shifrat nga Regjistrimi i Popullsisë 2024 bazohen vetëm në popullsinë rezidente të regjistruar gjatë periudhës së regjistrimit.
Aty del, se emrin Fatime e kanë gati dyfish më shumë gra, 11 836 sosh, derisa Bajramët e tejkalojnë dyfishin, me 11 759 persona që e kanë këtë emër. Emrat e tjerë më të përhapur, janë: Emine, Bekim, Agim, Muhamet, Fatmir, Ramadan, Arben dhe Ganimete.
Ndërsa te mbiemrat prijnë mbiemrat, Krasniqi e Gashi e Berisha.




