Vendimi kundërthënës i Gjykatës Komerciale, dënon mbi gjysmë milioni euro kompaninë e sigurimeve pa argumente dhe fakte

Gazeta Infokus kishte raportuar vitin që lamë pas për një vendim të Gjykatës Komerciale të Kosovës, përmes të cilit një kompani e sigurimeve është dënuar me 548 mijë e 168 euro, për një çështje që sipas kontratës dhe policës së sigurimit, nuk kishte qenë e mbuluar fare me sigurim, transmeton KosovaPress.
Bëhet fjalë për një dënim ndaj kompanisë së sigurimeve ‘SIGAL’ për dëme të shkaktuara nga rrëshqitjet e dheut, ndonëse një rrezik i tillë, që nga fillimi, nuk ishte ofruar si mundësi sigurimi. Kjo rezulton qartë edhe nga dokumenti polica e sigurimit, e nënshkruar ndërmjet kompanisë së sigurimeve “Sigal” dhe kompanisë “N.P.T. Eurokos”, ku për rrëshqitje të dheut mbulimi figuron me zero euro sigurim.
“Zjarri, vjedhja, tërmeti, vullkani, përmbytja, stuhia, inondacioni, vandalizmi, tsunami, … Rrëshqitja e tokës etj. Shumat e Sigurimit/ Për disa prej rreziqeve të sipërpërmendura (p.sh. rrëshqitja e dheut, shembja, përmbytja e jashtëzakonshme), është specifikuar shuma 0 (zero) euro, që do të thotë se për këto nuk ofrohet kompensim financiar në rast dëmi.”, thuhet në dokumentin e policës së sigurisë për të cilën ishin marrë vesh kompania e sigurimeve “Sigal” me kompanisë “Eurokos SH.P.K”.
Megjithatë, kjo nuk është e vetmja çështje që ngre pikëpyetje serioze mbi ligjshmërinë dhe koherencën e këtij vendimi të Gjykatës Komerciale.
Mospërputhje mes palëve kontraktuese dhe palëve paditëse
Një nga kundërthëniet kryesore ka të bëjë me identitetin e kompanive të përfshira në këtë proces gjyqësor. Kontrata e sigurimit është lidhur me kompaninë Eurokos SH.P.K., ndërsa padia është ushtruar nga Eurokos Holding SH.P.K. dhe Hidroenergji.
Pra, në këtë çështje rezulton se janë përfshirë tre kompani të ndryshme, ndonëse vetëm njëra prej tyre figuron si palë kontraktuese në policën e sigurimit.
Dy kompanitë e tjera, të cilat nuk figurojnë fare në marrëveshjen e sigurimit, janë paraqitur si palë paditëse dhe, çuditërisht, e kanë fituar rastin në Gjykatën Komerciale.
Eurokos SH.P.K., Eurokos Holding SH.P.K. dhe Hidroenergji rezultojnë të regjistruara si subjekte të ndara juridike në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, çka shton edhe më shumë paqartësitë rreth legjitimitetit të palëve paditëse.
Një tjetër kundërthënie serioze lidhet me hidrocentralin për të cilin është ofruar sigurimi. Sipas policës së sigurimit, kompania “Sigal” ka ofruar mbulim sigurimi vetëm për Hidrocentralin 1 dhe Hidrocentralin 2, në kuadër të kushteve dhe rreziqeve të përcaktuara në kontratë.
Megjithatë, Gjykata Komerciale e ka obliguar kompaninë e sigurimeve të paguajë dëme për Hidrocentralin 3, për të cilin, sipas dokumentacionit kontraktual, nuk ka ekzistuar sigurim i kontraktuar.
Ky fakt përbën një tjetër element që bie drejtpërdrejt në kundërshtim me përmbajtjen e policës së sigurimit dhe ngre dyshime mbi bazën juridike të vendimit.
Në faqen 23 të aktgjykimit, Gjykata Komerciale thekson se kompania e sigurimeve kishte obligim ligjor të caktonte një ekspert të pavarur për vlerësimin e dëmit, ndonëse një detyrim i tillë nuk figuron i përcaktuar në kontratë apo në policën e sigurimit.
Në aktgjykim thuhet:
“Pretendimet e të paditurit se dëmi i paraqitur nga paditësi, është dëmi i njëjti me të cilin është vendosur nga i padituri dhe se i njëjti bie nën përjashtimet e policës, nuk janë të mbështetura në prova. Kjo për faktin se me asnjë provë i padituri nuk ka arritur të argumentojë se i njëjti ka caktuar ekspert të pavarur për vlerësimin e këtij dëmi, përkundër detyrimeve të tij ligjore. Gjithashtu, nuk është marrë një vendim i qartë me shkrim për njohjen ose refuzimin e kërkesës për këtë rast specifik, çka përbën mosveprim dhe refuzim të heshtur të siguruesit. Mungesa e një raporti të pavarur teknik nga ana e siguruesit për këtë dëm, si dhe mos caktimi i ekspertëve të pavarur për vlerësim, përkundër njoftimit në kohë, bie në kundërshtim me detyrimet kontraktuale dhe ligjore të siguruesit dhe paraqet neglizhencë të detyrimeve të tij për shqyrtimin e dëmit, duke cenuar kështu parimin e besnikërisë kontraktore (bona fide), si dhe të drejtën legjitime të paditësit për të përfituar kompensim për një rrezik të mbuluar”, thuhet në aktgjykim.
Me këtë arsyetim, Gjykata ka pranuar si “ekspertizë të pavarur” raportin teknik të realizuar nga vetë pala paditëse, pa caktuar apo realizuar një ekspertizë të pavarur nga ana e saj, e cila do të ishte e paanshme ndaj të dyja palëve.
Marrëveshje e ‘paekzistuar’ merret si dëshmi gjyqësore
Gjykata Komerciale, në faqen 20 të aktgjykimit, i referohet një marrëveshjeje të arritur ndërmjet palëve, duke u bazuar në komunikime elektronike, ndonëse nuk ofrohet asnjë provë materiale për ekzistencën e kësaj marrëveshjeje.
Në aktgjykim thuhet:
“Nga komunikimet elektronike të datave 27.03.2018, 05.02.2018, 30.01.2018, 12.04.2018, 29.01.2018, 26.12.2017, 13.12.2017 dhe 11.07.2018, vërtetohet se ndërmjet palëve ndërgjyqëse ka pasur korrespondencë të vazhdueshme lidhur me kërkesën e paditësit për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në kuadër të realizimit të projektit “Lepenc 3”. Nga përmbajtja e këtyre komunikimeve vërtetohet se paditësi ka informuar të paditurin për dëmet e vlerësuara në shumën prej 262,845.00 €, të cilat janë kompensuar paraprakisht nga paditësi ndaj kompanisë “Hidrotunel”, dhe se ka kërkuar themelimin e një komisioni për vlerësimin e dëmeve të tjera të evidentuara pas kësaj periudhe. Po ashtu, pronari i kompanisë së dëmtuar, z. Ylber Shamolli, i është drejtuar të paditurit me kërkesa të përsëritura për takim dhe sqarim të çështjes. Në përgjigje, i padituri ka konfirmuar trajtimin e çështjes nga Komisioni për Trajtimin e Dëmeve të Pasurisë dhe ka caktuar takim më datë 01.02.2018, pas të cilit palët janë pajtuar për angazhimin e një eksperti për vlerësimin e dëmeve nga kompania e sigurimeve. Në vijimësi të kësaj procedure, paditësi ka paraqitur një kërkesë të re për kompensimin e dëmit të shkaktuar nga rrëshqitjet e dheut pas datës 14.11.2017, bazuar në raportin teknik të datës 21.02.2018 dhe marrëveshjen e arritur në takimin e datës 01.02.2018. Ky dëm është vlerësuar në shumën prej 685,210.00 €, ose 5.6% të shumës së sigurimit”, thuhet në aktgjykim.
Infokusi ka kërkuar sqarime nga Gjykata se për cilën marrëveshje bëhet fjalë, kush e ka nënshkruar atë dhe ku figuron si dokument zyrtar, por nuk ka marrë përgjigje.
Heshtja e Gjykatës ndaj pyetjeve të Infokusit
Infokusi ka kontaktuar në disa raste Gjykatën Komerciale për sqarime lidhur me këto kundërthënie, por pa sukses. Në një përgjigje të mëhershme, Gjykata kishte deklaruar:
“Në lidhje me kërkesën tuaj për sqarim dhe interpretim të aktgjykimit të Gjykatës Komerciale të Kosovës – KE.nr.384/22, ju njoftojmë si vijon: Gjykata Komerciale tashmë ka dhënë përgjigje lidhur me kërkesën tuaj të mëparshme dhe për të njëjtën çështje nuk ka obligim të përsërisë apo të japë përgjigje shtesë për të njëjtat pretendime. Kërkesa për interpretim ose sqarim të aktgjykimit është pa bazë ligjore.”
Sipas Gjykatës, ajo nuk është e obliguar të japë sqarime mbi përmbajtjen apo arsyetimin e vendimeve të saj, duke theksuar se aktgjykimi është i publikuar dhe i qasshëm në ueb-portal.
Megjithatë, edhe në këtë përgjigje nuk adresohen çështjet konkrete të ngritura nga Infokusi, përfshirë mospërputhjet në kontratë, identitetin e palëve paditëse, objektin e sigurimit dhe përdorimin e dëshmive që nuk figurojnë në dokumentacionin zyrtar.
