“Rreziku nga spiunazhi është më i vogël”, Kurti: Institucionet e sigurisë janë vigjilente

“Rreziku nga spiunazhi është më i vogël”, Kurti: Institucionet e sigurisë janë vigjilente

Situata e sigurisë në Kosovë është më e mirë krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa rreziku nga aktivitetet e spiunazhit është në rënie, falë koordinimit të shtuar ndërinstitucional, thotë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në intervistën ekskluzive, të parën pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Kurti thotë se gjatë viteve 2024 dhe 2025 ka pasur bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të sigurisë, inteligjencës dhe drejtësisë, çka ka rezultuar me arrestime dhe ndjekje penale në raste të dyshuara për spiunazh.

Gjatë vitit 2025, si rrjedhojë e angazhimit të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe institucioneve tjera të sigurisë, janë zbuluar disa raste të dyshuara për spiunazh ku ka pasur edhe të arrestuar, masa paraburgimi dhe ngritje aktakuzash nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

KosovaPress ka raportuar më parë për këto raste, ku vetëm vitin që lamë pas janë arrestuar: Fatmir Sheholli, i cili u arrestua më 9 tetor 2025 në Prishtinë nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit, Bojan Jevtiq – toger i Policisë së Kosovës i cili shërbente si shef operativ në policinë kufitare në pikën “Dheu i Bardhë”, Hysri Selimi, i cili u arrestua më 6 maj 2025 nën dyshimet për kryerje të veprës penale të spiunazhit në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) dhe Jelena Gjukanoviq, zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë – e cila u arrestua më 28 shkurt 2025 nën dyshimet për spiunazh dhe fillimisht u ndalua për 48 orë nga Prokuroria Speciale pas hetimeve disa mujore.

Në intervistën për KosovaPress, kryeministri në detyrë, Albin Kurti thotë se bahskëpunimi ndërinstitucional, kurorëzuar me rezultate konkrete, kanë ndikuar drejtpërdrejt në parandalimin e përpjekjeve për sabotim, dezinformim dhe destabilizim të vendit, si dhe në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Nënvizon se Kosova është përballur jo vetëm me kërcënime të drejtpërdrejta, por edhe me një luftë hibride, të cilën ai e cilësoi si konkrete dhe të organizuar, duke përmendur Serbinë dhe aleatët e saj, përfshirë Federatën Ruse, si burime të këtyre përpjekjeve destabilizuese.

“Është shumë mirë që në vitet 2024 dhe 2025 ka pasur një koordinim ndërinstitucional midis organeve të sigurisë, të inteligjencës dhe të drejtësisë, në ndjekjen e rasteve të tilla kur kemi pasur të bëjmë me spiunazh, i cili reflektohet shumë në sabotim dhe dezinformim, në përpjekje për destabilizim të vendit, të sistemit tonë politik, të cenimit të sovranitetit e të integritetit territorial. Dhe ne kemi qenë si qeveri gjithmonë në mbështetje të kësaj ndërmarrje, e cila është e re në vendin tonë dhe e cila na gëzon shumë për sigurinë në shtetin tonë. Veçse në anën tjetër, edhe na vjen një çikë keq që nuk ka ndodhur në të kaluarën. Pra, Serbia dhe aleatët e saj, në radhë të parë Federata Ruse me presidentin despotik Putinin, nuk kanë zhvilluar vetëm luftë me sulme kinetike, me sulme terroriste, me agresion shtetëror, ku e kanë vënë në shërbim edhe xhandarmërinë, policinë, ushtrinë, e sidomos shërbimin e tyre sekret BIA, por ata njëkohësisht kanë bërë edhe një luftë hibride, që nuk është abstrakte, por është konkrete”, thotë Kurti.

Thotë se falë koordinimit të shtuar ndërinstitucional, rreziku nga aktivitetet e spiunazhit është në rënie.

“Besoj që rreziku është më i vogël se ç’ishte më herët dhe është duke u zvogëluar. Nuk e kemi ditur se sa në rrezik të madh kemi qenë, por tash nga të gjithë ata që u arrestuan për spiunazh, të gjithë janë ose në paraburgim, ose tashmë të dënuar. Dhe ju e dini që ne në Kosovë e kemi edhe EULEX-in që monitoron proceset gjyqësore. Kosova është vendi më demokratik në Evropën Juglindore që ende nuk është i integruar në Bashkimin Evropian, në Ballkanin Perëndimor siç quhet ndryshe, dhe këtu janë duke u zhvilluar procese gjyqësore fer, korrekt, të drejta. Prandaj qytetarët nuk kanë arsye për brengë, por natyrisht që institucionet e shtetit kanë shumë arsye për të qenë vigjilentë për shkak se lufta hibride e Serbisë shprehet shumë në përpjekjet destabilizuese, dezinformative dhe sabotuese të akterëve të ndryshëm, të cilët nuk janë të lidhur vetëm me Beogradin zyrtar, por edhe me Kremlin-in, i cili po e përdor Serbinë si një mjet për destabilizimin dhe cenimin e paqes dhe të sigurisë në gadishullin ballkanik”, thotë ai.

Këtu mund të ndiqni intervistën e kryeministrit në detyrë, njëherësh kryetar i LVV-së, Albin Kurti për KosovaPress:

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë