Çështja e presidentit, Kurti: Ekziston mundësia jo vetëm teorike, por edhe praktike që të shkojmë prapë në zgjedhje

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thotë se ekziston mundësia jo vetëm teorike, por edhe praktike që Kosova të shkojë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin e ri. Katër muaj para se t’i skadojë mandati presidentes aktuale, Vjosa Osmani, Kurti është më i matur nëse e përkrahin Osmanin edhe për një mandat tjetër pesëvjeçar. Sipas tij, një test dhe indikacion se si mund të ecet përpara edhe në çështjen e presidentit është miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat nevojitet mbështetje edhe e deputetëve të opozitës.
Kurti, në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, thotë se fillimisht duhet konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë, miratimi i buxhetit dhe pastaj të mendohet për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Nëse nuk arrijmë ta zgjedhim presidentin, ose ta rizgjedhim presidenten, e afati i fundit për këtë gjë është 4 marsi, nëse nuk e kemi të kaluar paraprakisht buxhetin për vitin 2026, ne as nuk mund të mbajmë zgjedhje të reja. Se natyrisht ekziston mundësia, jo vetëm teorike, por edhe praktike, që ne të shkojmë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijmë ta rizgjedhim presidenten. Por në një situatë të tillë duhet të jemi të gatshëm, pikërisht duke e pasur buxhetin e votuar. Prandaj unë po them, nuk është e shëndetshme të flasim për hapin e katërt pa i trajtuar mirë dhe kaluar këta tre të parët”, thotë ai.
Kurti, i cili është edhe lider i LVV-së, parti e cila sipas rezultateve preliminare të KQZ-së ka mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, e konsideron të nevojshëm takimin me Osmanin për të diskutuar interesimin e saj për një mandat tjetër në krye të vendit.
Sipas tij, sigurimi i 80 deputetëve në sallë në momentin e zgjedhjes së presidentit është një vështirësi e konsiderueshme.
“Tash, ne e kemi parë deklarimin e presidentes. Së pari duhet ta formojmë Kuvendin dhe qeverinë. Gjithashtu duhet të votojmë buxhetin. Unë besoj që këto janë hapat më të rëndësishëm. Pra, janë tre hapa para se të vijmë te rizgjedhja e presidentes. Dhe unë besoj që nga këta tre hapa ne do t’i shohim se si janë gjasat përpara. Unë kam deklaruar që është e rëndësishme që po ashtu të ulemi me presidenten dhe të diskutojmë të gjitha gjërat. Nevojitet ky takim për shkak se 80 veta në sallë është vështirësi e konsiderueshme. Ju po e keni parasysh që herën e kaluar s’i bëmë dot 61. 80 është numër shumë më i madh se 61. Dhe përderisa kësaj radhe ne 61 i kemi, 80 nuk i kemi. Dhe këto marrëveshje ndërkombëtare, të cilat po përpiqemi t’i kalojmë sa më shpejt, unë besoj që gjithashtu do të mund të na japin indikacione për rrugën përpara. Por nuk besoj që është e drejtë, as e dobishme, që të flasim për hapin e katërt pa i parë këta tre të parët”, deklaron ai.
Duke folur për mundësitë që partitë e opozitës, dhe veçanërisht LDK-ja, të qëndrojnë në sallën plenare kur votohet presidenti, Kurti tha se nuk e di se çfarë qëndrimesh do të mbajnë partitë e opozitës në javët dhe muajt në vijim.
“Për besë nuk e di. Ky viti 2025, me një qasje bllokuese e barrikaduese të partive opozitare, më ka çuditur edhe mua. Po të më thoshte dikush para një viti që viti 2025 do të ishte ashtu siç u bë, mund të dukej me shumë pak gjasa ose pa asnjë gjasë. Mirëpo ja që ndodhi. Prandaj unë nuk e di çfarë qëndrimesh do të mbajnë partitë opozitare në javët dhe muajt në vijim. A është e qartë që as marrëveshjet ndërkombëtare dhe as rizgjedhjen e presidentes, zgjedhjen e presidentit, ne nuk mund t’i kalojmë pa pasur edhe deputetë nga opozita. Ndërkohë që bllokadat sa i përket konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë i ka larguar populli me 28 dhjetor”, thekson ai./KosovaPress/
