Broja në formacionin e javës së Premier League: Jam më i fortë dhe me më shumë besim

Broja në formacionin e javës së Premier League: Jam më i fortë dhe me më shumë besim

Armando Broja zhvilloi një paraqitje shumë pozitive kundër Newcastle, duke u përzgjedhur në formacionin e javës së Premier League, pavarësisht humbjes 1-3 të skuadrës së tij.

Sulmuesi shqiptar ndjeu disa shqetësime në minutat e fundit të takimit, por situata nuk paraqiti asnjë problem serioz, teksa vetë lojtari ka konfirmuar se ndihet shumë mirë fizikisht.

Në një intervistë të fundit për faqen zyrtare të Burnley, Broja ka folur për rritjen e tij të dukshme dhe ndryshimet që ka bërë krahasuar me periudhën e mëparshme, duke theksuar vështirësitë dhe kërkesat e larta të Premier League.

“Kur kam luajtur për herë të parë, ishte shumë e lodhshme, sepse e di sa kërkuese është Premier League. Është një kampionat shumë fizik dhe shumë i vështirë për të mbajtur ritmin në çdo ndeshje. Më duhej kohë që të ndërtohesha siç duhet fizikisht, ndaj u stërvita çdo ditë, çdo javë, për t’u bërë më i fuqishëm. Tani jam edhe më i shpejtë”, u shpreh Broja.

Sulmuesi kuqezi theksoi gjithashtu rëndësinë e besimit që i ka dhënë trajneri, duke e aktivizuar rregullisht në fushë, çka ka ndikuar pozitivisht edhe në aspektin psikologjik, transmeton ATSh.

“Trajneri më ka hedhur në fushë dhe kjo më ka dhënë shumë besim. Tani jam shumë më mirë se më parë. Jam gati edhe për ndeshjen e radhës me Brighton. Jam tipi i sulmuesit që lumturohem kur shënoj, si çdo lojtar tjetër, por dua të kontribuoj më shumë: të dribloj, të krijoj raste për të tjerët dhe për veten, të jem pjesë aktive e lojës dhe jo vetëm të pres shansin për gol. Kam bërë një hap të madh përpara dhe ndihem shumë mirë”, përfundoi Broja.

Paraqitjet e fundit konfirmojnë rritjen e sulmuesit shqiptar, i cili duket gjithnjë e më i përshtatur me ritmin dhe intensitetin e elitës së futbollit anglez.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë