Kosova mbështet operacionin anti-narkotik të SHBA-së në Venezuelë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova qëndron fuqishëm përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit Donald Trump, duke mbështetur veprimet e tyre kundër asaj që ajo e cilësoi si “regjim narco-terrorist” në Venezuelë.
Osmani theksoi se Presidenti Trump ka qëndruar në krah të popullit të Venezuelës dhe është përballur me regjimin e Nicolás Maduros, duke mbrojtur jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe sigurinë globale nga kartelët e drogës dhe krimi i organizuar.
Sipas saj, populli i Venezuelës meriton liri, demokraci dhe një të ardhme të bazuar në sundimin e ligjit, duke paralajmëruar se narco-terrorizmi dhe autoritarizmi përbëjnë kërcënim serioz për paqen ndërkombëtare.
Presidentja Osmani nënvizoi se Kosova e kupton më së miri rolin vendimtar të lidershipit amerikan, duke kujtuar se vetë çlirimi i Kosovës është dëshmi e vendosmërisë së SHBA-së. Ajo bëri thirrje për unitet transatlantik, duke theksuar se komuniteti perëndimor është më i fortë kur qëndron i bashkuar pas lidershipit amerikan dhe vlerave të përbashkëta demokratike.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë, i udhëhequr nga Presidenti amerikan Donald Trump.
Në një reagim publik, Kurti theksoi se mbajtja përgjegjëse e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin e luftës kundër kësaj dukurie globale.
Ai nënvizoi se Kosova, si aleate strategjike e SHBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër, siç u shpreh, cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues të kundërshtarëve të këtyre vlerave.
Kryeministri Kurti gjithashtu ritheksoi nevojën për rritjen e vëmendjes ndaj disa aktorëve rajonalë, të cilët, sipas tij, në vazhdimësi synojnë destabilizimin e sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste dhe ushtarake, si në rajon ashtu edhe më gjerë.
