Transparencë selektive në sistemin e drejtësisë

Sistemi gjyqësor i Kosovës gjatë vitit 2025, ka shënuar përparime në aspektin e transparencës dhe hartimit të dokumenteve që e mbështesin funksionimin e tij. Megjithatë, të njëjtën rrugë nuk e ndoqi Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili aktualisht ndodhet në fazën e një reforme të parashikuar me Ligjin për Këshillin Prokurorial, ligj që hyri në fuqi gjatë vitit të kaluar.
Kështu po vlerësojnë monitorues e njohës të sistemit të drejtësisë në vend, të cilët potencojnë se udhëheqja e pozitës së kryeprokurorit të shtetit me ushtrues detyre dhe sulmet publike karshi këtyre dy institucioneve që ndodhën edhe gjatë vitit të kaluar, e kanë goditur rëndë sistemin e drejtësisë.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani thotë se sistemi prokurorial po pëson dëm si pasojë e asaj që pozita e kryeprokurorit të shtetit vazhdon të jetë me ushtrues detyre nga viti 2022.
Ndërsa, hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Flamur Kabashi thotë se sistemit gjyqësor ka avancuar në kuptim të transparencës, por për dallim nga Këshilli Gjyqësor, ai Prokurorial ka qenë i mbyllur.
Duke theksuar se gjatë vitit 2025 janë ngritur disa aktakuza për korrupsion, Kabashi konsideron se ato aktakuza duhet të kenë karakter hetimor penal dhe jo administrativ.
Zhvillimet pozitive në sistemin gjyqësor drejtë transparencës i nënvizon edhe drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli-Nimani.
Sipas saj, reforma në sistemin prokurorial nuk duhet të pengohet, pasi çdo tentim për pengim në këtë drejtim do të dështojë.
Nga Këshilli Prokurorial i Kosovës si sfidë kryesore e konsiderojnë reformën nëpër të cilën po kalojnë, si dhe mungesën e prokurorëve.
Visar Krasniqi, anëtari në Këshillin Prokurorial të Kosovës nga shoqëria civile, për KosovaPress, thotë se ndryshimet ligjore nuk janë pranuar lehtë nga këshilli, duke sjellë probleme në funksionimin e komisioneve dhe trupave të tjera.
Por, ai shton se problematike gjatë vitit 2025 ka qenë dhe çështja e buxhetit dhe mungesa e prokurorëve.
KosovaPress ka kërkuar një përgjigje edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Edhe gjatë vitit 2025 raporti i Monitorimit të Drejtësisë 2025 i publikuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka vu në pah se drejtësia kosovare vazhdon të sfidohet nga rastet e profilit të lartë, të cilat kanë ngecur për vite të tëra dhe disa nuk kanë arritur në fazën e aktgjykimeve edhe një dekadë pas kryerjes së veprave. Po ky raport ka ngritur si shqetësim mosaplikimin e dënimeve plotësuese, si dhe shqiptimi në numër të madh i masës së paraburgimit.
Kujtojmë që në fundin e vitit të kaluar Këshilli Prokurorial i Kosovës e shkarkoi Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit pas raportimeve se ai gjoja kishte bashkëpunuar më 1999 me një gjyqtare serbe për rastin e Masakrës së Reçakut, të cilën ajo e konsideronte ngjarje të trilluar. Kelmendi në një konferencën për medie i kishte mohuar të gjitha pretendimet.
Më pas, Kelmendi u ankua në Gjykatën Supreme e cila më pas më 16 dhjetor 2025 e ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e Besim Kelmendit nga detyra e ushtruesit të detyrës së kryeprokuror të shtetit, duke thënë se shkarkimi i tij ishte i kundërligjshëm.
Ndërsa, aktualisht ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të shtetit është Agron Qalaj.
Tema e plotë në sistemin me parapagim.
