Nga fushat sportive në diplomaci, Kosova po flet përmes sportit

Nga fushat sportive në diplomaci, Kosova po flet përmes sportit

Sporti në Kosovë po dëshmohet gjithnjë e më shumë si një prej mjeteve më të fuqishme të ndërtimit dhe afirmimit të shtetit në arenën ndërkombëtare.

Përtej rezultateve sportive, ai ka krijuar ura bashkëpunimi, ka thyer paragjykime dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në imazhin politik, social e kulturor të vendit.

Përfaqësues të institucioneve kryesore sportive vlerësojnë se Kosova tashmë nuk është vetëm pjesëmarrëse në sportin ndërkombëtar, por një faktor aktiv që kontribuon në organizime, partneritete dhe suksese konkrete.

Kryetari i Federatës së Sporteve Universitare, Musa Selimi, thekson rolin e shumanshëm të sportit si motor zhvillimi për shtetin, duke vënë në pah ndikimin e tij në ekonomi, shoqëri dhe formimin e brezave të rinj, raporton KosovaPress.

“Sporti jep kontribut të çmueshëm në zhvillimin dhe në promovimin e shtetit në shumë drejtime, i përmenda faktorin ekonomik, faktorin politik, social, krijimin e vlerave kulturore, imazhin e shtetit në botë. Mendoj që jemi në rrugë të mirë, mirëpo gjithmonë duhet ta mendojmë që mundemi edhe më mirë, sepse kemi potencial, rinia jonë është e shkëlqyeshme, duhet vetëm t’i udhëzojmë dhe t’i drejtojmë në rrugën e tyre, në mënyrë që sukseset të mos na mungojnë, që edhe sot i kemi prezent… E shoh të rrugës që duhet të punohet edhe më shumë, nuk duhet të kënaqemi me këtë çka kemi, por që sportin duhet ta marrim si mjet për të jetuar, sepse përmes sportit konsideroj që zhvillohet edhe rinia, zhvillohet shteti dhe, faktorët të cilët e promovojnë shtetin tonë, që e dimë tashmë që nuk ka qenë e lehtë të krijohet dhe sot e kemi, ne duhet ta mirëmbajmë dhe ta zhvillojmë në mënyrën më të mirë”, deklaron Selimi.

Nga perspektiva ndërkombëtare, Rejhan Halili, udhëheqëse për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), vlerëson se organizimi i ngjarjeve madhore sportive ka qenë esencial në rritjen e njohjes së Kosovës në botë.

“Dëshmia më e madhe ka qenë edhe në faktin e organizimit të 10-vjetorit të njohjes së Komitetit Olimpik të Kosovës, ku ka ardhur edhe Thomas Bach, ish-presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, dhe kanë qenë të gjithë nivelet më të larta të federatave sportive, të organizatave të tjera, të komunitetit sportiv dhe Lëvizjes Olimpike, dhe të gjithë kanë qenë superlativ në komentet rreth rezultateve të arritura në sport. Të mos flasim edhe për rezultatet e sportistëve elitarë, të cilit unë vetë kam pasur rastin të jem prezent në fitimin e medaljeve në Algjeri, për shembull. Është një kënaqësi që nuk përshkruhet, e nuk po flas edhe për federatat e tjera që tashmë janë duke organizuar, edhe veç janë duke e njohur bota Kosovën përmes këtyre organizimeve”, tha Halili.

Kryetari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikqi, nënvizon se Kosova ka kaluar fazën e perceptimit si një shtet i ri dhe tashmë shihet si partner i barabartë nga federatat evropiane dhe ndërkombëtare.

Përmes organizimeve, marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe projekteve të përbashkëta, sipas tij, sporti ka ndihmuar në rrëzimin e propagandës negative dhe në forcimin e pozitës së Kosovës si shtet serioz dhe i besueshëm në sportin ndërkombëtar.

“Për shkak, se ne kur organizojmë aktivitete të tilla, ato shtete që vijnë marrin pjesë në Kosovë, me kryetarët, sekretarët e atyre shteteve, mirëpo edhe të nivelit edhe të Evropës, ne kemi takime, kështu që ata na përgëzojnë, për shkak se edhe ata kanë pasur dyshimet e veta për Kosovën, sepse nuk kanë mundur t’i ikin propagandës që është zhvilluar kundër Kosovës. Kosova për vite me radhë nuk është më vetëm një shtet, një federatë më shumë në familjen evropiane, por partner i Federatës Evropiane të Volejbollit, por edhe i federatave të tjera. Ne kemi pasur rastin të nënshkruajmë marrëveshje bashkëpunimi edhe me Federatën italiane. Jemi duke aplikuar me projekte të tjera të përbashkëta të cilat do t’i bëjmë publike në muajt në vazhdim. Federata e Volejbollit e Kosovës në këtë aspekt shihet partner i barabartë me të gjitha federatat e tjera”, tha Nikqi.

Në një realitet ku diplomacia sportive po fiton gjithnjë e më shumë peshë, Kosova ka arritur ta shndërrojë sportin në një prej ambasadorëve të saj më të besueshëm. Përmes sukseseve të sportistëve, organizimit të ngjarjeve ndërkombëtare dhe partneriteteve me federata prestigjioze, sporti ka ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e imazhit shtetëror dhe në rritjen e besimit ndërkombëtar.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë