“Jam i zhgënjyer”, Abdixhiku: Me kohë dhe në vendin e duhur do t’i shpalosi të gjitha

“Jam i zhgënjyer”, Abdixhiku: Me kohë dhe në vendin e duhur do t’i shpalosi të gjitha

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar sot pasdite lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetort, duke e cilësuar atë si të dhimbshëm, por duke theksuar se verdikti i qytetarëve duhet respektuar.

Abdixhiku nuk ka sqaruar nëse ka dhënë apo jo dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së, siç po raportohet. Për këtë, ai është shprehur se “do ta bënë me kohë e në vendin e duhur”.

Në një postim në Facebook, me mesazh drejtuar qytetarëve dhe mbështetësve, Abdixhiku falënderoi të gjithë ata që kontribuuan dhe u angazhuan për LDK-në gjatë fushatës, duke pranuar se zhgënjimi është i pranishëm, por se besimi në Kosovë dhe në demokraci nuk duhet të shuhet.

Ai theksoi se viti që po mbyllet është edhe një vit reflektimi personal, duke shtuar se ka bërë maksimumin me ndershmëri dhe përkushtim, edhe pse rezultati nuk ishte ai i synuari. Abdixhiku paralajmëroi se përpara LDK-së është një periudhë reflektimi dhe vendimmarrjeje, ndërsa tha se qëndrimet dhe hapat e mëtejmë do t’i shpalosë në kohën e duhur.

“Në këtë fundvit, dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë ata që besuan, që punuan, që sakrifikuan kohë, familje, energji dhe zemër për LDK-në dhe për rrugën që besuam bashkë. E di që shumë prej jush ndiheni të zhgënjyer sot; edhe unë jam një prej jush. Por besimi ynë në Kosovë, në demokraci dhe në të ardhmen nuk duhet të shuhet kurrë. Ky është edhe një vit reflektimi personal. Kam bërë gjithçka që kam ditur dhe mundur, me ndershmëri dhe me përkushtim. Ndonjëherë, edhe kur jep maksimumin, nuk mjafton; dhe këtë e pranoj me dinjitet. Përpara nesh është një kohë reflektimi, vendimmarrjeje dhe përgjegjësie. Me kohë e në vendin e duhur, siç na mëson dinjiteti e përgjegjësia politike, do t’i shpalosi të gjitha. Çfarëdo që sjell e nesërmja, unë do të jem gjithmonë në shërbim të vendit tim”, ka shkruar Abdixhiku.

Në fund, ai uroi qytetarët për Vitin e Ri 2026, duke shprehur shpresën për një vit më të drejtë, më njerëzor dhe më të mirë për Kosovën.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, LDK ka dalë partia e tretë me 13.57 për qind të votave. E para Vetëvendosje me 49,41 për qind dhe PDK e dyta me 20 për qind.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë