Hoxha flet për bashkëpunimin e Policisë me KFOR-in, EULEX-in e AKI-n

Hoxha flet për bashkëpunimin e Policisë me KFOR-in, EULEX-in e AKI-n

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka folur për bashkëpunimin me partnerët vendor e ndërkombëtarë të sigurisë. Ai theksoi se koordinimi është kyç për garantimin e sigurisë nacionale të vendit tonë.

Në intervistën për KosovaPress, Hoxha ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka takime të rregullta me komandantin e KFOR-it si dhe zëvendëskomandantin e tij, derisa janë formuar edhe grupe të përbashkëta punuese.

“Bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me partnerët e sigurisë në nivel të shtetit tonë është jashtëzakonisht i mirë. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer po ashtu me AKI-në. Kemi takime të rregullta, bashkëpunojmë, shkëmbejmë në baza ditore, nganjëherë edhe në telefon kudo që është e nevojshme. Domethënë takohemi edhe bisedojmë dhe shkëmbejmë informacione të cilët lidhen me sigurinë e vendit tonë. Sepse mandati i dy institucioneve tona është paksa i ndryshëm, po në disa pika kryesore puqemi për nga mandati, e ky është siguria nacionale e vendit tonë. Atëherë ne punojmë jashtëzakonisht mirë edhe në mënyrë të efektshme ndaj këtyre kërcënimeve që i vijnë Kosovës. Po ashtu bashkëpunimi jonë me Forcën e Sigurisë së Kosovës është në nivel të jashtëzakonshëm. Kemi trajnime të përbashkëta, shkëmbejmë përvoja, shkëmbejmë informacione”, ka thënë ai.

Hoxha në intervistën për KosovaPress tha se ka zhvilluar takime me komandantin e KFOR-it, dhe se “nuk ka asnjë shkëndijë të përkeqësimit të raporteve mes Policisë së Kosovës dhe KFOR-it”.

“Takohemi pothuajse rregullisht me gjeneralin e KFOR-it, zotëri Ozkan Ulutaş tash, gjeneralin, po ashtu edhe me zëvendësin e tij. Kemi formuar disa grupe punuese që punojnë me qëllim të koordinimit sa më të mirë të prezencës së Policisë së Kosovës atje dhe prezencës së KFOR-it, në mënyrë që të bëjmë një lloj mbulimi sa më të mirë të pjesës veriore, në veçanti pjesës së brezit kufitar. Do të thotë, mund të themi që tash për tash nuk ka ndonjë shkëndijë të përkeqësimit apo të dëmtimit të raporteve mes policisë së Kosovës dhe KFOR-it. Domethënë jemi në nivel të shkëlqyer të bashkëpunimit qysh prej tetorit kur ka ardhur gjenerali dhe zëvendës komandanti i KFOR-it, ne kemi pasur të paktën tre-katër takime. Para javës që shkoi kemi pasur takimin e fundit, ku kemi shkëmbyer informacione, kemi shkëmbyer ide se si mund ta avancojmë edhe më tej bashkëpunimin mes KFOR-it dhe Policisë së Kosovës”, shtoi ai.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha foli edhe për bashkëpunimin me EULEX-in.

“Edhe me EULEX-in, kemi raporte të shkëlqyera, profesionale. Ata kanë një mandat të kufizuar për shkak që Kosova tashmë ka fituar pavarësinë e plotë, edhe në këtë rast edhe mandati i EULEX-it ka shkuar duke u kufizuar. Mirëpo në këtë mandat që ata e kanë, ne bashkëpunojmë jashtëzakonisht mirë. Në fusha të ndryshme, ata monitorojnë disa raste të hetimit të Policisë së Kosovës, po ashtu edhe kanë një prezencë të shtuar në veri të vendit me qëllim të dokumentimit edhe vërtetimit të punës së mirë që po bëhet në atë pjesë”, përfundoi ai.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë