Zanetti: Messi gati për ta udhëhequr Argjentinën edhe në Botërorin 2026

Zanetti: Messi gati për ta udhëhequr Argjentinën edhe në Botërorin 2026

Javier Zanetti këmbëngul se Lionel Messi është ende plotësisht i aftë për ta udhëhequr Argjentinën në Kupën e Botës 2026, duke shprehur bindje të plotë se ylli i Inter Miami do të shkëlqejë edhe një herë në skenën më të madhe të futbollit. Legjenda argjentinase vlerëson se mosha nuk përbën pengesë për Messin, i cili tashmë është 38 vjeç, ndërsa “albicelestët” synojnë ta mbrojnë titullin e fituar në Katar 2022. “Ky duhet të jetë vendimi i tij, por mendoj se po. Kanë mbetur vetëm edhe pak muaj dhe besoj se ai dëshiron të përfaqësojë përsëri vendin e tij. Nuk kam dyshim se kjo do të ndodhë”, ka thënë Zanetti për FourFourTwo.

Ish-kapiteni i Argjentinës ka hedhur poshtë çdo dilemë rreth aftësive të Messit për të qenë lider edhe në Botërorin e ardhshëm, duke theksuar inteligjencën dhe përvojën e tij. “Nuk pajtohem me idenë se ai është shumë i vjetër. Messi është plotësisht i aftë të vazhdojë si lider. Ai e di më mirë se kushdo se si të interpretojë atë që i nevojitet ekipit dhe është i rrethuar nga lojtarë të shkëlqyer. Me të, Argjentina do të jetë përsëri një pretendente e madhe”, ka shtuar Zanetti, duke nënvizuar edhe rolin e grupit të ndërtuar nga trajneri Lionel Scaloni.

Nga ana e tij, Messi ka qenë më i rezervuar kur është pyetur për Botërorin 2026, por nuk e ka fshehur dëshirën për të qenë pjesë e tij. “Shpresoj të jem atje. Do të doja shumë të isha. Në rastin më të keq, do të jem duke e parë, por do të jetë speciale”, ka deklaruar ai për ESPN, duke lavdëruar mentalitetin fitues dhe atmosferën brenda ekipit kombëtar. Messi do të mbushë 39 vjeç gjatë turneut në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ndërsa mbetet e hapur pyetja nëse ky do të jetë kapitulli i fundit i tij me fanellën e Argjentinës, apo një tjetër histori lavdie për legjendën e futbollit botëror.

KosovaPress

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë