120 euro mes ilaçeve dhe urisë, jeta e vështirë e familjes Bilalli në Prishtinë

Në një shtëpi të vogël, me mure të lagështa dhe gjurmë myku, gjysmë e djegur, jeton familja Bilalli, një familje pesëanëtarëshe që çdo ditë përballet me varfërinë, sëmundjen dhe pasigurinë, me nënën e paralizuar e të verbër, e djalin 10 vjeç i cili nuk ka para as për në shkollë.
Kryefamiljari, Azem Bilalli, thotë se mbijetesa e tyre varet pothuajse tërësisht nga ndihma sociale prej 120 eurosh në muaj, të cilat, sipas tij, shkojnë kryesisht për barna.
I sëmurë dhe i paaftë për punë, Azemi rrëfen se kushtet në të cilat jetojnë janë tejet të rënda. Shtëpia ku banojnë është ndërtuar me ndihmën e njerëzve të panjohur, të cilët, siç thotë ai, e ndihmuan pa kërkuar asgjë në këmbim. Para kësaj, familja kishte kaluar muaj të tërë duke jetuar në një tendë.
Në familjen Bilalli, sëmundja është bërë pjesë e përditshmërisë. Nëna e Azemit ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa vetëm për terapinë e diabetit nevojiten rreth 100 euro në muaj. Edhe vetë Azemi dhe bashkëshortja e tij vuajnë nga probleme të shumta shëndetësore, çka e bën edhe më të vështirë përballjen me jetën e përditshme.
Djali i tyre dhjetëvjeçar, nxënës i klasës së pestë, ndjek mësimin në shkollën “Nazim Gafurri”. Edhe pse librat janë siguruar, familja mezi arrin të blejë mjetet elementare shkollore. Në prag të festave të fundvitit, djali nuk ka as si të festojë.
“Unë jam i sëmurë, me punu nuk po mundem. Po e shihni dhe vetë si i kam kushtet, me një social 120 euro mezi po ia dalim. Ka pak, na kanë ndihmuar kush ka pasur mundësi, i falënderoj edhe ata, se këto krejt i kemi, këta kauçë krejt çka më kanë ndihmu… Ma kanë ndërtuar do persona me i njoft s’i njoh, s’ma kanë tregu as emrin, as fytyrën. Kam jetuar edhe në shatorr, gjashtë muaj, shtatë kam jetuar në atë shatorr… Unë sëmundjen e kam prej policëve serbë. Më kanë rrahur, me unaza, me krejt, m’i kanë shkatërru… Nëna është në gjendje kritike, aq fort që po më dhimbet po s’po kam çka me i bë. Veç 100 euro i ndan për diabet i shkojnë… Shkon në shkollë, Nazim Gafurri, mjetet shkollore, Qeveria i ka qit paratë për libra, për këto, duhen lapsa e këto ia kam ble unë. Prej shtetit tjetër ndihmë s’kam, prej bamirësve kam ndihmë, ata që më kanë parë në këtë gjendje, më kanë ndihmuar, çka kanë pasur mundësi, deri qitu, nuk më kanë lënë me heq”, ka thënë Bilalli.
Ngrohja dhe energjia elektrike mbeten sfida të vazhdueshme për familjen. Ata përdorin dru për t’u ngrohur, që shpesh u sigurohen falas nga bamirës. Sa i përket rrymës, çdo tejkalim mbi kufirin minimal përkthehet në faturë që nuk kanë si ta paguajnë.
“Kemi qit shporet e kemi edhe ca dru edhe ato m’i kanë pru falë, kur s’kemi dru, një nxemje… Jo, s’mundemi, rrymës, pasi jemi me social, që kemi librezën ne na liron, na ndalon për shembull deri në 20 euro, që ministria e punëve sociale i heq, ama në qoftë se kalon mbi 20 euro duhet me prej xhepit. E kemi rregullua pak a shumë se një komshi ishte me kerre ngat aty, e kanë lënë ai kerrin me benzinë edhe ka qenë edhe ngrohja ka qenë aty pranë, andaj ka eksplodu, rezervari e ka rrok këtë shtëpinë teme, vetë e kam ndreq”, ka shtuar ai.
Bashkëshortja e Azemit përshkruan me lot në sy frikën që e shoqëron çdo ditë. Ajo thotë se shtëpia dridhet nga era dhe se çdo shi e bën të ndihet e pasigurt për jetën e familjes.
Ajo tregon se ndjehet e pafuqishme kur fëmija i saj sheh mungesën e gjërave elementare që të tjerët i kanë.
“Një pikë shi me ra këtu pikë, me qenë frymë e fortë, dridhet shtëpia, një ditë jam tut që po na zë shtëpia, kjo është pa stuba.. Edhe ilaçe s’po ka kush me i ble, as s’po kam kush me i marrë, plaka sëmurë, qashtu e paralizuar, po duhet me u mundu.. Të gjithë të sëmurë, edhe mos me na ndihmu kështu dikush dikush, ne kishim vdekë moti… Unë jam prej sheqerit me tension të lartë, e me tanë sëmundjet e mia, me yndyrë e me krejt sëmundjet… Ta bien, atë faturën e rrymës ‘paguje’, me çka me e pagu, s’ki me çka. Një ditë jam shtyrë me ta, isha sëmurë, veç që që s’para tij, i tregojsha që 100 euro i marrim… ‘Kurrqysh, oj nanë të gjithë kanë, unë nuk kam, të gjithë po kanë çka me ngrënë unë jo’, më vjen gjynah prej tij deri të rritet ky, ka me heq”, shprehet ajo.
Kushdo që mund ta ndihmojë familjen Bilalli e cila jeton në Kodrën e Trimave, në rrugën “Nexhmi Llumnica” në Prishtinë, mund të kontaktoni në numrin e telefonit 044-799-116.
