Dita e Veteranit, Osmani: Përulemi para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Ditën e Veteranit, duke thënë se përulet me respekt të thellë para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr.
Në urimin e Osmanit thuhet se veteranët e UÇK-së janë dëshmia se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim.
“Sot, në Ditën e Veteranëve të UÇK-së, përulemi me respekt të thellë para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr. Ata u bënë mburojë e popullit, zë i atdheut dhe shpresë në kohën më të errët. Veteranët e UÇK-së janë dëshmia se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim dhe sakrificë. Rrugëtimi i tyre drejt lirisë u kurorëzua me dinjitet dhe fitore. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit. Nderim i përhershëm veteranëve të UÇK-së”, thuhet në urimin e presidentes Vjosa Osmani.
