DHTIK uron LVV-në për fitoren dhe kërkon fokus për adresimin e sfidave ekonomike

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka përshëndetur përmbylljen e suksesshme të procesit zgjedhor dhe demokratik në Republikën e Kosovës.
Në emër të komunitetit të biznesit, DHTIK ka uruar fituesin e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje, si dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke i dëshiruar suksese në udhëheqjen e institucioneve të vendit.
Dhoma ka theksuar pritjen për formimin e shpejtë të institucioneve të reja, duke nënvizuar nevojën që qeveria e re të fokusohet në adresimin e sfidave të shumta me të cilat po përballet ekonomia e Kosovës.
Po ashtu, DhTIK ka ritheksuar përkushtimin e saj për të vazhduar rolin si partner aktiv dhe konstruktiv i institucioneve shtetërore, në funksion të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit.
“Në emër të komunitetit të biznesit, i urojmë fitore fituesit të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit, z. Albin Kurti dhe i dëshirojmë suksese në udhëheqjen e institucioneve të vendit. DhTIK pret formimin e shpejt të institucioneve të reja dhe që qeveria e re të ketë fokus në tejkalimin e shumë sfidave me të cilat është duke u përballur ekonomia. Dhoma mbetet e përkushtuar në vazhdimin e angazhimit të saj tradicional të qenit një partner aktiv dhe konstruktiv i institucioneve në të mirë të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës”, thuhet në komunikatën e DHTIK.
Po ashtu sipas DhTIK-së, dialogu i hapur dhe i qëndrueshëm ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat mbetet faktor kyç për ndërtimin e një Kosove më të fortë ekonomikisht dhe më të qëndrueshme për qytetarët e saj.
Pas procesimit të rezulateve preliminare në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49.30% të votave, e pasuar nga PDK me 21.01% dhe LDK me 13.59%, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sipas këtyre rezultateve ka marr 5.68% të elektoratit.
