Osmani synon mandatin e dytë presidencial

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se synon të kandidojë sërish për postin e presidentes së Kosovës.
Vjosa Osmani e ka konfirmuar këtë në një intervistë për REL-in, duke theksuar se pret fillimisht formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.
Osmani ka paralajmëruar se në periudhën në vijim do të zhvillojë bisedime me akterë të ndryshëm politikë për të siguruar mbështetjen e nevojshme për kandidaturën e saj.
Ajo ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin e saj politik edhe në rast se nuk zgjidhet presidente për një mandat të dytë, duke nënvizuar se mbetet e përkushtuar ndaj shërbimit publik dhe interesave të shtetit.
Mandati i parë i Osmanit mabron në prill të vitit 2026.
Në intervistë, presidentja ka komentuar edhe raportet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, politikën e jashtme të Kosovës, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën administratën e presidentit Donald Trump, si dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Osmani ka folur gjithashtu për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të tyre për stabilitetin rajonal dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Kosova, dje ka zhvilluar zgjedhjet e parakohshme dhe nga ky process, LVV ka dalë e para, PDK e dyta, LDK e treta dhe AAK e katërta.
Pas procesimit të rezulateve preliminare në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49.30% të votave, e pasuar nga PDK me 21.01% dhe LDK me 13.59%, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sipas këtyre rezultateve ka marr 5.68% të elektoratit.
Në bazë të këtyre rezultateve fuqia e partive në Kuvendin e Kosovës do të jetë kështu:
LVV siguron 56 mandate, PDK me 23 mandate, LDK merr 15 mandate, AAK 6 mandate, Lista Serbe 10 mandate, komunitetet e tjera 10 mandate.
