KPK tërheq nga rendi i ditës propozimin e Lumezit për zëvendëskryeprokuror, jep detaje Qalaj

KPK tërheq nga rendi i ditës propozimin e Lumezit për zëvendëskryeprokuror, jep detaje Qalaj

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka tërhequr nga rendi i ditës propozimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit për zgjedhjen e zëvendëskryeprokurorit të kësaj zyre.

Ushtruesi i detyrës së kreprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj e kishte propozuar për këtë pozitë Aleksander Lumezin.  Lumezi u raportua gjatë ditës se nuk e ka pranuar këtë propozim.

Në mbledhjen e sotme të KPK-së, Qalaj tha se me Lumezin ishte konsultuar paraprakisht.

“Pas propozimit që kam bërë dhe kam propozuar Aleksandër Lumezin për zëvendës të kryeprokurorit të shtetit me konsultim dhe me të duke u bazuar edhe në përvojën e tij te gjatë, në menaxhim, e kam parë të arsyeshme që ta propozojë si zëvendëskryeprokuror të shtetit, mirëpo meqë e ka shpjeguar situatën në letrën e tij dërguar Këshillit edhe unë e respektoj vullnetin e tij dhe tërhiqem nga propozimi për zëvendës të kryeprokurorit të shtetit në të ardhmen do të shohim se si do të veprojmë”, tha Qalaj.

Në vend të kësaj pike, KPK vendosi që ta shtojë si pikë të rendit të ditës kërkesën e kandidatëve për prokurorë te shtetit, per rishqyrtim të vendimit për anulimin e procesit për rekrutimin e prokurorëve të rinj.

Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Visar Krasniqi tha se duhet t’i sqarohet publiku se si ka ardhur ky propozim, meqe ai e konsideroi se nuk ka pasur bazë ligjore.

“Është mirë që ushtruesi i detyrës të na jap sqarime më detajuara sa i përket kësaj pike. Unë kam disa pyetje, fillimisht e thatë qe jeni konsultuar me zotëri Lumezin para se të vije propozimi, mirëpo a mundeni të na i sqaroni… Është e çuditshme mënyra se si është hartuar shkresa, ku është baza ligjore qe të propozohet zëvendës i ushtruesit të detyrës. Asnjë dispozitë ligjore nuk përcakton se cila është baza ligjore. Neni 17 i Ligjit për Këshillin Prokurorial thotë se Këshilli emëron zëvendësin e kryeprokurorit të shtetit pas konsultimit me kryeprokurorin e shtetit për një mandat katërvjeçar dhe publiku e meriton një sqarim. Dhe jo kështu me një email te zotëri Lumezit të tërhiqet kjo çështje sikur nuk ka ndodhur asgjë . Është shumë me rëndësi publiku me ditë se ka u shpik ky propozim dhe pse u tërhoq në fund”, shtoi ai.

Megjithatë, mbledhja vazhdoi me pika tjera të rendit të ditës.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Prokurorial të Kosovës, u vendos që të shpallet konkurs për avancim për prokuror në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

Po ashtu, Ikramije Bojaxhiu është caktuar zëvendëskryeprokurore e Prokurorisë Speciale. /Sh.Pajaziti

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë