Katër njohje të reja, kjo është politika e jashtme gjatë vitit 2025

Katër njohje të reja, kjo është politika e jashtme gjatë vitit 2025

Kosova ka përmbyllur vitin 2025 duke siguruar katër njohje të reja ndërkombëtare. Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamet kanë njohur pavarësinë e vendit, një zhvillim që është mirëpritur në përgjithësi nga spektri politik dhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare. Megjithatë, këto arritje po shoqërohen edhe me kritika ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme për mungesën e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe për, siç thuhet, regres në raportet bilaterale me vendet aleate.

Madje edhe njohjet e reja nuk konsiderohen direkt si sukses i drejtpërdrejtë i diplomacisë kosovare, pasi sipas tyre kanë ardhur kryesisht si pasojë e zhvillimeve gjeopolitike globale. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nuk kthyen përgjigje për KosovaPress, në lidhje me angazhimin e tyre për vitin 2025.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Artan Behrami, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti dhe drejtimin e diplomacisë së vendit. Sipas tij, politika e jashtme e Kosovës është “suspenduar”.

Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë shprehur kritika për mungesë të rezultateve konkrete në diplomaci. Anëtarja e kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku, ka vlerësuar se nuk ka pasur intensifikim të veprimeve diplomatike gjatë qeverisjes aktuale.

Ndërkohë, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, vlerëson se politika e jashtme e Kosovës duhet parë në një konteksti më të gjerë dhe si reflektim i politikës së brendshme.

Sipas tij, njohjet e fundit nuk mund të quhen sukses i drejtpërdrejtë i diplomacisë kosovare, pasi kanë ardhur kryesisht si pasojë e zhvillimeve gjeopolitike globale.

Kosova para katër njohjeve të reja në vitin 2025, njohjen e fundit e ka pasur në vitin 2020 nga Izraeli, e cila erdhi si rezultat i Marrëveshjes së Uashingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kosova gjatë viteve 2023–2024, ka kaluar dy faza për anëtarësim në Këshillin e Evropës, mirëpo nuk u përfshi në agjendë në mbledhjen e ministrave të punëve të jashtme të KiE-së, ku vendoset për anëtarësim.

Krahas kësaj, aplikimi i vitit 2022 për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk është shqyrtuar ende.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë