Policia paralajmëron qytetarët për fushatë mashtruese përmes SMS-ve

Policia paralajmëron qytetarët për fushatë mashtruese përmes SMS-ve

Policia e Kosovës njofton qytetarët për një fushatë mashtruese (phishing) që aktualisht po qarkullon përmes mesazheve SMS, të cilat në mënyrë të rreme paraqiten si të dërguara nga Posta e Kosovës.

Sipas Policisë, këto mesazhe përmbajnë linqe mashtruese që synojnë t’i mashtrojnë qytetarët për të siguruar të dhëna personale dhe informacione të kartelave bankare, me qëllim të keqpërdorimit financiar. Autoritetet theksojnë se Posta e Kosovës nuk ka dërguar mesazhe të tilla dhe se faqet e përfshira në këto SMS nuk janë domene zyrtare.

Në këtë kontekst, Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë vigjilencë të shtuar dhe të shmangin çdo ndërveprim me mesazhe të dyshimta. Konkretisht, qytetarët këshillohen: të mos klikojnë në asnjë link të dyshimtë; të mos japin të dhëna personale apo të kartelave bankare; të mos kryejnë pagesa përmes këtyre linqeve dhe të fshijnë menjëherë mesazhet mashtruese.

Ndërkaq, qytetarët që mund të kenë kryer ndonjë pagesë përmes këtyre linqeve mashtruese, ftohen që menjëherë të kontaktojnë bankën përkatëse për të kërkuar anulimin e pagesës, si dhe ta raportojnë rastin në stacionin policor më të afërt.

Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj në parandalimin dhe luftimin e mashtrimeve dhe u bën thirrje qytetarëve për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe kujdes të shtuar ndaj formave të reja të mashtrimit digjital.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë