Biznese nga SHBA-ja pjesë e panairit në Tiranë

Në edicionin e 31-të të Panairit ndërkombëtar “Klik Ekspo Group” në Tiranë po marrin pjesë edhe dy kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Amir Fardhabibi, menaxher i kompanisë Solenergy Solutions thotë për KosovaPress, se kjo është hera e parë që marrin pjesë si ekspozues në këtë panair.
“Është hera e parë që ne marrim pjesë si ekspozues dhe gjithashtu hera e parë që unë vizitoj Shqipërinë, deri tani gjithçka ka qenë shumë mirë. Këtu janë dy kompani amerikane: Solar Energy dhe BEAM, si dhe mendoj se edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë. Pra, sipas njohurive të mia, janë dy kompani amerikane që marrin pjesë. Nga këndvështrimi i biznesit, bëhet fjalë për një treg në zhvillim, që ofron shumë mundësi për sektorë të ndryshëm. Tani është momenti i duhur për ta eksploruar tregun, përpara nismave madhore si “Albania 2030”, sepse tregu po rritet me një ritëm të shpejtë dhe zhvillime të reja po ndodhin çdo ditë. Gjithmonë ia vlen të merren në konsideratë tregjet në zhvillim, sepse ato janë vendet që po hyjnë në një fazë zhvillimi dhe po krijojnë mundësi të reja për komunitetin lokal, vende pune dhe një ekonomi më të qëndrueshme”, ka përfunduar ai.
Ai thotë se po synojnë zgjidhje të qëndrueshme në fushën e energjisë diellore por edhe të ruajtjes së energjisë.
“Ne jemi një kompani zhvilluese e energjisë së rinovueshme me bazë në Kaliforninë Jugore. Aktualisht po eksplorojmë mundësi të reja në Ballkanin Perëndimor, në vende si Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Ekipi ynë ka mbi dy dekada përvojë ndërkombëtare në projekte të energjisë diellore dhe të ruajtjes së energjisë me bateri. Kemi realizuar projekte të mëdha në SHBA, Evropë dhe Lindjen e Mesme, duke përfshirë Amerikën e Veriut, Kanadanë dhe gjithashtu Amerikën e Jugut. Sot po marrim pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Grupit Klick Expo, Panairin Ndërkombëtar të Tiranës. Po bashkëpunojmë me partnerë lokalë dhe institucione me qëllim që të krijojmë bashkëpunime në një fazë të hershme të zhvillimit të vendit. Qëllimi ynë është të sjellim zgjidhje të qëndrueshme, të besueshme dhe të mirëprojektuara në fushën e energjisë diellore dhe të ruajtjes së energjisë, për të kontribuar në pavarësinë energjetike dhe rritjen ekonomike, sepse Ballkani Perëndimor ka potencial të madh për mundësi të reja të tilla”, thotë ai.
Menaxheri i Solenergy Solutions shton se ky panair ofron mundësi për të gjitha kompanitë pjesëmarrëse që të bashkëpunojnë ne projekte të ndryshme.
“Së pari, ky panair ofron mundësi për të gjitha kompanitë që të lidhen me njëra-tjetrën: organizata joqeveritare, partnerë lokalë, kompani të shërbimeve publike, operatorë të pavarur të sistemit, kompani të prodhimit të energjisë. Është një platformë shumë e mirë për t’u lidhur dhe për të bashkëpunuar në fazat e ndryshme të një projekti. Për vendin, veçanërisht për fushën tonë të punës, Shqipëria ofron një potencial të madh me ndriçim të lartë diellor dhe një peizazh të përshtatshëm për këtë lloj projektesh”, tha ai.
Në panair po marrin pjesë mbi 250 kompani nga mbi 20 vende botërore. Në këtë panair po merr pjesë edhe Agjencia e Lajmeve KosovaPress, ku të shumtë vizitorë sot kanë pasur mundësi pranë stendës të mësojnë për historinë, punën dhe shërbimet.
Motoja e edicionit të 31-të sivjet është “Dritare drejt së ardhmes”, i cili në fokus ka zhvillimin e qëndrueshëm të “Shqipërisë 2030”.

