Fushatë zgjedhore, Qeveria në detyrë iu dërgon sms studentëve për 100 eurot

Sot, studentët e vendit kanë pranuar nga një SMS telefonik nga Zyra e Kryeministrit në Kosovë që janë kualifikuar si përfitues të shumës së njëhershme prej 100 eurove, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.
Përveç kësaj në këtë SMS për grupin e parë të studentëve që janë kualifikuar si përfitues të 100-eurove, shkruan “Me qeverinë tonë, studentët gjithmonë do të kenë mbështetjen e shtetit”.

Fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve ka nisë të hënën, ndërsa më 9 nëntor mbahet balotazhi.
Për ekzektuimin e 100 eurove në prag të balotazhit, ka reaguar edhe sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila shkruan në Facebook se LVV po abuzon me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës për nevoja elektorale.
“Ja si duket abuzimi me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës për nevoja elektorale të Kryetarit të LVV. Vetëm tre ditë para zgjedhjeve, me paratë e qytetarëve të varfëruar, të cilëve ua ka shtrenjtëuar rrymën për t’i shërbyer mafias energjetike, ai shpërndan nga 100 euro për studentët. Ky nuk është as kujdes social, as mbështetje për rininë. Është mashtrim. Është manipulim. Është papërgjegjësi. Dhe mbi të gjitha, është panik”, shkruan ajo.
Më 7 tetor, në prag të zgjedhjeve të 12 tetorit, Qeveria në detyrë ka marrë vendim për ndarjen nga 100 euro për studentët. Gjithashtu ka miratuar edhe bursën e mobilitetit për studentët e nivelit bachelor, për t’i mbështetur ata që studiojnë larg qytetit ku jetojnë.
Lidhur me ekzekutimin e këtyre mjeteve prej 100 eurove për studentët, ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ai ka shkruar në Facebook se, sot është procesuar pagesa për grupin e parë të studentëve që janë kualifikuar si përfitues të shumës së njëhershme prej 100 eurove, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.
“Janë gjithsej 49,623 studentë përfitues të të gjitha drejtimeve e institucioneve arsimore, publike e private që janë procesuar me grupin e parë. Pjesa e mbetur e aplikuesve që plotësojnë kriteret për përfitim do të shqyrtohen dhe procesohen me grupin e dytë në ditët në vijim. Me qeverinë tonë, studentët çdoherë do të kenë mbështetjen e shtetit”, shkruan Kurti.
https://kosovapress.com/kurti-dore-lire-ne-prag-te-zgjedhjeve-ndan-nga-100-euro-per-studente
