Padia e Erion Veliajt ndaj Aulon Kalasë, shtyhet seanca për 12 nëntor

Sot është shtyrë seanca në Gjykatën e Tiranës, për padinë për shpifje që kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj ka bërë ndaj Aulon Kalasë.
Veliaj, ka paditur ish-kandidatin për deputet të Partisë Demokratike në Durrës për shpifje, raporton KosovaPress.
Por, sot në gjykatën penale as Erion Veliaj dhe as avokatët e tij mbrojtës nuk u paraqitën.
Në një reagim në rrjetet sociale, Aulon Kalaja shprehet se Veliaj do të jetë në seancën e radhës më 12 nëntor, raporton KosovaPress.
“Gjyqtarja e çështjes e shtyu seancën me datë 12 nëntor, ora 12:00, duke vendosur se Veliaj duhet të vijë nga burgu dhe të dalë para gjykatës. Kësisoj të mos shmanget nga padia që e ngritur po vetë dhe është ndjerë i fyer. Në rast se nuk vjen cilësoi gjyqtarja, çështja do të pushohet, sipas ligjit. Ndërkohë unë pres përballje dhe nuk do të bëj asnjë hap pas. Do të ndahet një herë e mirë se kush është shpifës dhe përse hapen të tilla çështje ndaj meje në gjykatë”, shkruan Kalaja në Facebook.
Sipas nenit 120 për Shpifje, Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë (15.530 euro).
