Bajrami para përballjes me Kosovën: Është një ndeshje e veçantë që të jep kënaqësi

Mbrojtësi i FC Luzern dhe i përfaqësueses së Zvicrës, Adrian Bajrami, e ka cilësuar si të veçantë përballjen e ardhshme kundër Kosovës në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës.
“Sigurisht që ka lidhje. Është një ndeshje e veçantë që është thjesht argëtuese,” tha Bajrami në një intervistë për “20 Minuten”.
Edhe pse me origjinë nga Struga e Maqedonisë së Veriut dhe ish-pjesë e përfaqësueses shqiptare, mbrojtësi 22-vjeçar ndien lidhje të forta me të dyja rrënjët e tij. “Ndihem si zviceran ashtu edhe shqiptar. Jam krenar për trashëgiminë time dhe për faktin që përfaqësoj Zvicrën,” shtoi ai.
Bajrami debutoi për kombëtaren zvicerane në tetor kundër Sllovenisë dhe që atëherë është vlerësuar si një prej talenteve më premtues nga trajneri Murat Yakin dhe kapiteni Granit Xhaka.
Përveç anës sportive, 22-vjeçari theksoi edhe lidhjen e fortë me familjen. “Jam më krenar për prindërit e mi sesa për veten time. Ata ndërtuan gjithçka nga e para,” u shpreh Bajrami.
