Xhaka flet pas golit të parë me Sunderlandin

Granit Xhaka e ka hapur llogarinë e golave me fanellën e Sunderlandit, duke i siguruar skuadrës së tij një pikë të vlefshme në barazimin ndaj Evertonit. Mesfushori zviceran ishte përsëri në qendër të vëmendjes, jo vetëm për performancën e tij, por edhe për fjalët pas ndeshjes.
“Nuk patëm seancën tonë më të mirë stërvitore të dielën. E filluam ndeshjen ashtu siç e përfunduam stërvitjen. Pas kësaj, u futëm më mirë dhe e merituam të paktën një pikë,” tha Xhaka për Sky Sports, duke u shprehur i kënaqur me reagimin e skuadrës.
I pyetur për golin e tij të parë, lojtari 32-vjeçar nuk deshi të ndalej tek suksesi personal, por theksoi rëndësinë e ekipit dhe përkushtimit të bashkëlojtarëve.
Pas dy sezoneve te Bayer Leverkusen, ku fitoi përvojë të vlefshme nën drejtimin e Xabi Alonsos, Xhaka u rikthye në Premier League me Sunderlandin – një lëvizje që ai vetë nuk e kishte parashikuar.
“Por në futboll, nuk e di kurrë se ku do të përfundosh,” deklaroi ai, duke shtuar se rikthimi në Angli e bën të lumtur.
Forma e mirë e Xhakës dhe ndikimi i tij në mesfushën e Sunderlandit kanë bërë që shumë ta cilësojnë si një nga transferimet më të mira të sezonit, ndërsa “përralla” e klubit vazhdon me ritëm të qëndrueshëm në Premier League.
