AVONET padit Qeverinë në detyrë për vendimin mbi ndarjen buxhetore të 2026

Rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET ka dorëzuar sot padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë duke kërkuar anulimin e vendimit për miratimin e projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026.
Së bashku me padinë, AVONET ka propozuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme të sigurisë, me qëllim që të pezullohet ekzekutimi i vendimit të Qeverisë në detyrë deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata.
Sipas drejtorit ekzekutiv të AVONET, Kenan Gashi, zbatimi i vendimit do të shkaktonte dëme të rënda dhe të pariparueshme ndaj rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe interesit publik të Republikës së Kosovës.
“Së bashku me padinë, AVONET ka propozuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme të sigurisë, me qëllim që të pezullohet ekzekutimi i vendimit të Qeverisë në detyrë deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata. Ky propozim është ngritur në bazë të nenit 99 dhe 100 të Ligjit për Konflikt Administrativ, duke u arsyetuar se zbatimi i vendimit do të shkaktojë dëme të rënda dhe të pariparueshme ndaj rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe interesit publik të Republikës së Kosovës”, tha Gashi.
Gashi tha se Qeveria në detyrë ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Sipas analizës ligjore të AVONET, miratimi i projektligjit për ndarjet buxhetore, tejkalon kompetencat e një qeverie në detyrë.
”Në padinë e dorëzuar, AVONET thekson se Qeveria në detyrë me rastin e miratimit të vendimit në fjalë ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht me nenin 72, si dhe me nenet 28, 29 dhe 31 të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës, të cilat kufizojnë veprimtarinë e një qeverie që ushtron funksionet vetëm për çështje të domosdoshme administrative dhe jo të miratoj projektligje. Sipas analizës ligjore të AVONET, miratimi i projektligjit për ndarjet buxhetore përbën një akt me karakter administrativ dhe politik, i cili tejkalon kompetencat e një qeverie në detyrë”, tha Gashi
Sipas AVONET, ky veprim ka për qëllim për të mbrojtur rendin kushtetues, ndarjen e pushteteve dhe integritetit institucional, duke siguruar që proceset buxhetore të zhvillohen në përputhje me mandatet legjitime dhe parimet demokratike të Kosovës. /A. Shala/
