Lamtumira për Fatos Nanon, vlerësohet kontributi për çlirimin e Kosovës dhe marrëveshjen e Ohrit

Lamtumira për Fatos Nanon, vlerësohet kontributi për çlirimin e Kosovës dhe marrëveshjen e Ohrit

Në Pallatin e Kongreseve u mbajtën sot homazhet zyrtare në nderim të Fatos Nanos, ish-kryeministër dhe lider historik i Partisë Socialiste të Shqipërisë, i cili u nda nga jeta të premten, më 31 tetor, në moshën 73-vjeçare, pas problemeve të rënda shëndetësore.

Në respekt të kontributit të tij të çmuar në jetën publike dhe politike të vendit, u zhvilluan homazhe kombëtare dhe ceremonia funebre shtetërore, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të shtetit, personalitete të jetës politike e kulturore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe qytetarë të shumtë.

Me fjalë të ndjera, bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, shprehu dhimbjen e madhe për humbjen e partnerit me të cilin ndau më shumë se gjysmë shekulli jetë.

Xhoana Nano theksoi gjithashtu se Fatos Nano ishte një njeri me zemër të madhe, që dinte të falte dhe të donte, i drejtë dhe i ndershëm në çdo hap, duke e konsideruar paqen sociale dhe konkurrencën politike si thelbin e demokracisë.

Në fjalën e tij, Sokol Nano, djali i Fatos Nanos, e kujtoi babain si një udhëheqës dhe mentor jetësor.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se burgosja e padrejtë e liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano e ktheu atë në një figurë të pathyeshme dhe të pakonkurrueshme në Partinë Socialiste.

Rama kujtoi edhe akuzat që i bën si “tradhtar”, pse takoi Slobodan Millosheviqin gjatë një aktiviteti në Selanik.

Përndryshe, në Pallatin e Kongreseve u zhvilluan sot homazhet, ku u vendosën kurora me lule nga qytetarë dhe personalitete nga fusha të ndryshme, ndërkohë që në vijim, nga ora 11:15-11:45, u zhvilluan homazhet e personaliteteve shtetërore dhe të trupit diplomatik.

Në homazhe morën pjesë, kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja Lind Rama, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zv/kryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ministrja e Brendshme Albana Koçiu, si dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar.

Po ashtu homazhe zhvilluan edhe ish-kryeparlamentari Gramoz Ruçi, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, si dhe deputetë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe personalitete me kontribute ne këtë forcë politike.

Në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano, në Pallatin e Kongreseve zhvilluan po ashtu homazhe edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, shkruan ATSh.

Të pranishëm në homazhe ishin edhe deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, si Agron Gjekmarkaj dhe Flamur Noka, si dhe politikanë të tjerë nga opozita, si Agron Duka, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, apo Fatmir Mediu i Partisë Republikane, po ashtu dhe ish kreu i PD, Lulzim Basha. Në homazhe morën pjesë dhe drejtues të pushtetit lokal. Po ashtu të pranishëm në homazhe ishin edhe kryekomisioneri i KQZ, Ilirian Celibashi, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror.

Po ashtu në homazhe mori pjesë dhe ish-presidenti Alfred Moisiu, si dhe ish-presidenti Bamir Topi.

Në homazhe parakaluan dhe politikanë nga rajoni, si kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, apo Ali Ahmeti i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, akademikë, artistë, gazetarë e përfaqësues të fushave të ndryshme ishin të pranishëm në hollin e Pallatit të Kongreseve dhe kaluan me radhë për të kryer nderimet e fundit në kujtim të ish-kryeministrit Fatos Nano.

Homazhet publike nisën prej orës 8:30, ndërsa në përfundim të ceremonisë në orën 12:05, trupi i pajetë i Nanos u nis drejt banesës së fundit, në Sharrë.

Në dalje të pallatit të Kongreseve arkëmorti u shoqërua dhe me tingujt e këngës së preferuar të liderit historik të PS “My Ëay”, të “Frank Sinatra”. Ndërkohë qindra qytetarë hodhën karafila të bardhë, mbi arkivolin e liderit historik të PS.

Pas përfundimit të homazheve në Pallatin e Kongreseve, arkëmorti i ish-kryeministrit Nano u shoqërua përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit në drejtim të ish zyrës së tij në godinën e Këshillit të Ministrave, ku u ndal për pak minuta. Pas kësaj ndalese simbolike, kortezhi ju drejtua varrezave të sharrës, ky lideri historik i PS do të prehet në banesën e fundit.

Në respekt për kontributin e Fatos Nanos në jetën publike dhe politike të vendit, 2 nëntori është shpallur edhe ditë zie kombëtare.

Të gjithë flamujt në institucionet shtetërore janë ulur në gjysmë shtizë, ndërsa në orën 12:00 do të ndalojë çdo aktivitet për të mbajtur një minutë heshtje.

Fatos Nano ndërroi jetë në 31 tetor, në moshën 73-vjeçare, në një prej spitaleve private të kryeqytetit, ku po kurohej prej 24 ditësh.

Pesë herë Kryeministër i Shqipërisë, Fatos Nano do të mbahet mend si një lider historik i së majtës shqiptare, vizionar për Shqipërinë dhe një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare gjatë periudhës së tranzicionit.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë