Në 36-vjetorin e rënies nderohen heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

Në 36-vjetorin e rënies nderohen heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

Me rastin e 36-vjetorit të rënies heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, familjarë, qytetarë, deputet e krerë të partive politike kanë bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Velani dhe vendin e rënies në Bregun e Diellit.

Në këtë përvjetor të radhës, drejtues të institucioneve dhe partive politike vlerësuan lart figurën dhe sakrificën e heronjve të kombit si simbol të qëndresës kombëtare dhe frymëzim për brezat që pasuan, raporton KosovaPress.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu janë para-rojet e lirisë së Kosovës.

Kryetari aktual i Obiliqit, Xhafer Gashi, kujtoi periudhën e vitit ‘89, kur ishte pjesë e aktiviteteve ilegale bashkë me heronjtë Zhitia e Fazliu.

Ndërkohë, në mëngjes homazhe bëri edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me kryeparlamentarin Dimal Basha.

Kurti ka shënuar në profilin e tij, ku vlerësoi kontributin e Afrimit dhe Fahriut duke theksuar se rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe sensibilizoi opinionin ndërkombëtar.

“Më 2 nëntor 1989 në bllokun e tretë, në hyrjen e tretë, aty ku e kishin bazën e tyre ilegale, Fahriu e Afrimi luftuan për më shumë se 6 orë, që kjo tregon se çfarë luftëtarësh të paepur kanë qenë ata. Jeta, vepra, rënia, konteksti politik shoqëror i rënies heroike të Afrimit e të Fahriut, ka nevojë që të studiohet edhe më shumë nga historianët, sociologët dhe shkencëtarët në Kosovë, sepse liria e brezave të ardhshëm varet se sa mirë e mësojmë dhe e përvetësojmë jetën edhe veprën e atyre, të cilët bënë gjithçka për lirinë e popullit shqiptar”, shkroi Kurti.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shënuar se vepra e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut qëndron e përjetësuar në historinë e popullit tonë.

“Me veprën e tyre motivuan brezat që në fundshekullin e kaluar t’i japin fund robërisë përmes luftës sonë çlirimtare. Vepra e tyre qëndron e përjetësuar në thelbin e lirisë dhe shtetit të Kosovës”, shkroi Haradinaj.

Fahriu dhe Afrimi ranë më 2 nëntor 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut dhe prej orës 12:45 deri në ora 19:00 të shtënat nuk janë ndalur, ku bien heroikisht të dy atdhetarët.

Artikulli i plotë në sistemin me parapagim.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë