Paga minimale, Canolli: Vendimet e Qeverisë në detyrë për fushatë zgjedhore

Paga minimale, Canolli: Vendimet e Qeverisë në detyrë për fushatë zgjedhore

Vendimet e Qeverisë në detyrë, që përfshijnë miratimin e projektbuxhetit për vitin 2026 me vlerë rreth 4 miliardë euro, rritjen e pagës minimale duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, si dhe rritjen e pensioneve dhe shtesave për fëmijë nga nëntori i këtij viti, po vlerësohen si vendime me prapavijë politike, të ndërmarra në kuadër të fushatës zgjedhore. Qeveria në detyrë në kuadër të projektbuxhetit 2026, ka marrë vendim që paga minimale të rritet në dy faza: nga 1 janari i vitit 2026 paga minimale do të jetë 425 euro, ndërkaq nga korriku i vitit 2026 paga minimale do të bëhet 500 euro. Sikur partitë opozitare, edhe shoqëria civile vlerësoi se këto vendime janë antiligjore.

Drejtorja e programit në Institutin për Politika Sociale “Misine Kokalari”, Drenusha Canolli e vlerëson si jo të duhur vendimin për rritjen e pagës minimale në mungesë të Këshillit Ekonomik-Social dhe konsultave me shoqërinë civile.

Sipas saj, ndarja e rritjes së pagës minimale në dy faza është gabim.

“Duke mos i ditur këto veprime, Këshillin Ekonomiko – Social, konsultimet me shoqërinë civile nuk mund të them direkt se është shkelje e vendimit për rritje të pagës minimale, por nëse nuk janë përcaktuar këta hapa nuk mund ta përcaktoj a është direkt shkelje ligjore apo jo por vendimi për pagën minimale nuk është vetëm çështje teknike është për të mirën shoqërore duhet pas parasysh të gjitha këto aspekte për ta marr një vendim të tillë… Ndarja e pagës minimale në dy faza nuk mu duk shumë e rrugës me e nda në dy faza, nëse është vendosur për rritje të pagës minimale të bëhet për njëherë dhe mos të kemi dy faza të ndarjes së pagës minimale”, tha ajo.

Sipas saj, vendimi i sotëm për rritjen e pagës minimale nga 350 në 500 euro është marrë kryesisht për arsye politike dhe për të fituar përkrahje gjatë fushatës zgjedhore.

“Të gjithë jemi duke e ditur se është njëfarë periudhe duke përcjell edhe zgjedhjet nacionale dhe lokale ndoshta edhe mund të përdoret për shkak të zgjedhjeve edhe si fushatë politike duke e ditur se kemi një qeveri në detyrë, nëse kjo po proklamohet si e mirë e qeverisë në detyrë nuk mendoj e është e rrugës me u përdorur në këtë aspekt”, tha ajo.

Sa i përket asaj se si qëndron Kosova në raport me rajonin në aspektin e pagës minimale, drejtorja e programit në “Misine Kokalari”, konsideron se Kosovës i duhet shumë punë për të pas stabilitet në pagën minimale.

E sa i takon vendimeve të sotme të ekzekutivit në detyrë për rritje të pensioneve dhe shtesave të fëmijëve nga 1 nëntori, Drenusha Canolli nga “Misine Kokalari” i vlerëson si vendime politike për të përfituar vota.

Qeveria në detyrë ka miratuar projektbuxhetin në vlerë prej katër miliardë euro për vitin 2026. Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi mori vendim për rritjen e pensioneve bazë në 150 euro, si dhe shtesave për fëmijë për 50 për qind nga muaji nëntor i këtij viti.  Po ashtu, qeveria në detyrë mori vendim për rritjen e pagës minimale për vitin 2026. Paga minimale u tha se do të rritet në dy faza: nga 1 janari i vitit 2026 paga minimale do të jetë 425 euro, ndërkaq nga korriku i vitit 2026 paga minimale do të bëhet 500 euro.

Vendimet e sotme të ekzekutivit në detyrë u kritikuan edhe nga krerët e partive opozitare. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi konsideron se miratimi i projektbuxhetit për vitin 2026 nga qeveria në detyrë nuk mund të arrijë qëllimin e blerjes së votës për balotazh dhe për zgjedhje parlamentare.

Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të sotëm për miratimin e buxhetit të vitit 2026 nga Qeveria në detyrë, duke e cilësuar këtë veprim si “akt të paprecedent politik, institucional dhe një përpjekje të dëshpëruar për blerje votash”. E nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vendimet e sotme u quajtën të vonuara, të pakta dhe marri.

Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar pas mbledhjes së sotme të Qeverisë në detyrë, duke e cilësuar të paligjshëm procedimin dhe miratimin e Projektligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2026.

Në reagimin e 14 organizatave të shoqërisë civile, potencohet se veprimi i Qeverisë bie ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pasi sipas tyre, në votim morën pjesë persona të cilët tashmë janë të certifikuar si deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht paga minimale në vendin tonë është 350 euro bruto. Kjo rritje u bë në gusht të vitit të kaluar, disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto. Deri në fuqizimin e Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

Ndërsa, më 26 tetor kryeministri në detyrë Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme ku dështoi formimi i qeverisë së re, përmendi edhe rritjen e pagës minimale në 500 euro.

Instituti “Musine Kokalari”, Prishtinë thotë se një familjeje me 4 anëtar i nevojiten 1,152 euro neto në muaj.

https://kosovapress.com/ne-diten-nderkombetare-per-pagen-e-jeteses-instituti-musine-kokalari-kerkon-vendosjen-e-pages-per-te-jetuar-ne-kosove

Për vitin 2025, paga minimale në Kosovë është 350 euro bruto, në Shqipëri 405 euro, në Maqedoni të Veriut është 396 euro, në Mal të Zi është 450 euro dhe në Serbi 458 euro.

Intervista e plotë në sistemin me parapagim.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë