Plaçkitjet në Francë nuk ndalen, laboratori i Lionit preja e radhës me 12 milionë euro

Plaçkitjet në Francë nuk ndalen, laboratori i Lionit preja e radhës me 12 milionë euro

Gjashtë persona janë arrestuar pasi grabitësit përdorën eksplozivë dhe armë ushtarake për të hyrë me forcë në një laborator të Lionit që përpunon metale të çmuara, përfshirë arin.

Policia tha se hajdutët ikën me një plaçkë me vlerë rreth 12 milionë euro pas një grabitjeje që zgjati vetëm disa minuta dje. Në laboratorin Laboratoires Pourquery kishte 28 punonjës në kohën e sulmit dhe pesë u plagosën lehtë.

Një video tregon dy persona të veshur me të zeza që qëndrojnë pranë një furgoni të bardhë të parkuar përpara laboratorit.

Një person ngriti me qetësi një shkallë mbi gardh, ndërsa tjetri mbante atë që dukej të ishte një pushkë sulmi. Pak më pas, një person tjetër ngjitet në shkallë dhe hedh pako mbi gardh. Policia nuk ka zbuluar saktësisht se çfarë është vjedhur nga laboratori.

Të dyshuarit, që besohet të jenë kriminelë me përvojë, u arrestuan menjëherë pas grabitjes në qytetin e afërt të Vénissieux, tha një burim pranë hetimit. Një grua, e përshkruar nga policia si bashkëpunëtore në grabitje, u arrestua gjithashtu. U sekuestruan pushkë sulmi, pistoleta dhe eksplozivë.

Raportet e medias tregojnë se kjo është hera e dytë që laboratori është shënjestruar. Pati një tentativë grabitjeje në maj.

Grabitja në Lion ndodhi pak ditë pas vjedhjes spektakolare në Luvër, ku hajdutët vodhën xhevahire në vlerë prej 88 milionë eurosh.

Shtatë persona janë arrestuar deri më tani, por thesaret e vjedhura, përfshirë një gjerdan me smerald dhe diamant të dhuruar nga Napoleoni i Parë gruas së tij të dytë, Marie Louise, dhe një diademë me 212 perla dhe dy mijë diamante që i përkisnin Perandoreshës Eugenie, nuk janë gjetur ende.

Muajin e kaluar, hajdutët duke përdorur një mulli dhe një pishtar autogjen hynë me forcë në Muzeun e Historisë Natyrore të Parisit dhe vodhën mostra ari me vlerë rreth 600 mijë euro. Prokurorët njoftuan së fundmi arrestimin e një shtetasi kinez 24-vjeçar në Barcelonë në lidhje me rastin.

Në fillim të tetorit, rreth 100 kryqe ari u zhdukën nga një muze në qytetin jugor francez Mialet, ndërsa më pak se 24 orë pas grabitjes së Luvrit, qyteti i Langres raportoi zhdukjen e disa monedhave argjendi dhe ari nga një koleksion që daton nga viti 1790 deri në vitin 1840.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë