Rasti i gazit lotsjellës vazhdon të zvarritet, mungesa e Sveçlës shtyn seancën

Në mungesë të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, seanca e sotme gjyqësore për rastin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018, u shty për 16 janar 2026. Mungesën e tij Sveçla e ka arsyetuar me shkrim.
Për dallim nga Sveçla i cili mungoi, prezent ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba dhe Fitore Pacolli, si dhe ish-deputetja, Drita Millaku.
Kryetari i trupit gjykues, Sabit Sadikaj tha se në mungesë së Sveçlës nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës së sotme.
Ai tha se ministri në detyrë e Punëve të Brendshme e ka arsyetuar me shkrim mungesën e tij.
Më pas, kryetari i trupit gjykues paralajmëroi se palët që do të mungojnë në seancën e ardhshme pa arsye, ndaj tyre do të lëshohet urdhër-arrest dhe kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
E pas dështimit të mbajtjes së kësaj seance gjyqësore në mungesë të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, avokati i tij, Laur Preni, ka deklaruar se arsyeja e mungesës së klientit të tij është një udhëtim zyrtari.
Ai shtoi se çështja gjyqësore që po zhvillohet ndaj Sveçlës dhe dy deputetëve të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, nuk është afër parashkrimit dhe se procesi pritet të vazhdojë brenda një afati të arsyeshëm.
Gjatë kësaj seanca gjyqësore të akuzuarit, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba dhe Fitore Pacolli u pyetën për mungesën e tyre në seancën e kaluar.
Që të dy thanë se kanë arsye për mungesë do ta përcjellin me shkrim në gjykatë, ndërsa tha se kanë pas angazhime.
Edhe deputetja, Pacolli tha se në seancën e kaluar mungoi për shkak të angazhimeve.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sjelljen me detyrim në gjykatë të ministrit në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ndaj deputetëve të Vetëvendosjes që nuk janë paraqitur.
Aktakuza ndaj Sveçlës, Pacolli-Dalipit, Zybës dhe Millakut është ngritur më 26 korrik 2019.
