Kurti: Nga muaji nëntor do të rriten pensionet dhe shtesat për fëmijë

Buxheti i Kosovës për vitin 2026 do të jetë katër miliardë euro, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ai në mbledhjen e sotme të qeverisë tha se qeveria do të ndajë edhe pagën e 13-të për të gjithë punëtorët e sektorit publik në fund të vitit.
“Është buxhet në vlerë 4 miliardë euro, ku një miliard euro janë buxhetuar për investime kapitale. Një risi me këtë buxhet do të jetë dhënia e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik. Pra, kushdo që punon së paku 12 muaj në sektorin publik me qeverinë tonë, në fund të vitit do të mund të përfitojë edhe pagën e 13-të. Gjithashtu, është i përfshirë edhe zbatimi i rritjes bazë me 0.5 për qind për çdo vit përvojë pune, për dallim prej asaj që kemi pasur më herët ku për 15 vitet e para zbatohej rritja vetëm 0.25 për qind për çdo vit përvojë pune. Kjo përkthehet në rritje shtesë për punëtorët e sektorit publik varësisht prej viteve të përvojës së punës. Ky buxhet përfshin edhe rritjen e pensioneve, rritjen e shtesave për fëmijë, shtesave për lehona dhe pagesat për të rinjtë dhe gratë që angazhohen nga Superpuna, kompletimin e reformave të asistencës sociale. Me këtë buxhet rritet edhe mbështetja për barnat esenciale, rritet mbështetja për kulturën dhe sportin, rritet mbështetja për ndërmarrësit në sektorin privat, bujqit dhe për investime në infrastrukturë publike. Para së gjithash, me këtë buxhet sigurohet qëndrueshmëria dhe vijimësia e shtetit tonë dhe zhvillimit të tij”, tha ai.
Ai bëri të ditur se nga muaji nëntor i këtij viti do të rriten pensionet nga 120 në 150 euro, si dhe do të rriten shtesat për fëmijë për 50 për qind.
“Përveç rritjes së pagës në sektorin publik, kemi lajm të mirë edhe për sektorin privat. Nga Ministria e Financave kemi propozimin edhe për rritjen e pagës minimale, rritje kjo që do të ndikojë në 150 mijë të punësuar. Ashtu siç kam premtuar, sot ka lajme të mira edhe për pensionistët. Pensioni minimal nga 120 euro do të bëhet 150 euro duke filluar nga muaji nëntor që fillon nesër. Kjo rritje prek rreth 200 mijë pensionistë, kategoritë e pensioneve bazike, personat me aftësi të kufizuara, për të rritur, fëmijë, si dhe pensionin invalidor të punës. Siç e dini, kam premtuar edhe lajm të mirë për nënat që marrin shtesa për fëmijë. Nga muaji nëntor, shtesat për të gjithë fëmijët nga 0–16 vjeç do të rriten për 50 për qind. Pra, një nënë me dy fëmijë që këtë muaj ka marrë 40 euro, nga muaji i ardhshëm do t’i marrë 60 euro. Një nënë me katër fëmijë do të marrë 180 euro në muaj”, theksoi Kurti.
Kurti tha se, përkundër që janë në qeveri në detyrë, kanë obligim ligjor miratimin e buxhetit për vitin 2026. Ai u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit që ta miratojnë këtë buxhet pa shkuar në zgjedhje të reja, përkundër që ka dështuar të formojë qeverinë e re.
“Megjithëse jemi qeveri në detyrë, përmes Ligjit për Qeverinë, Kuvendi ka paraparë që edhe në situata të tilla ku formimi i institucioneve mund të zgjasë më shumë sesa duhet, shteti vazhdon funksionimin. Konkretisht, paragrafi 5 i nenit 31 të ligjit parasheh që edhe qeveria që ka përfunduar mandatin, sikurse është rasti me ne, mund të propozojë buxhetin vjetor para Kuvendit. Andaj sot, si qeveri, përveç që po zbatojmë detyrimin ligjor për miratimin e buxhetit, gjithashtu po kryejmë obligimin tonë si qeveri në detyrë që shteti të mos mbetet pa buxhet. I takon Kuvendit dhe të gjithë deputetëve nga të gjitha subjektet politike që këtë buxhet ta miratojnë para se të shkohet në zgjedhje të reja, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e shtetit. Të mos mbetemi në situata ku shteti nuk ka buxhet të miratuar”, përfundoi Kurti. /KosovaPress/
