​Kurti dhe Basha pas vdekjes së Enver Petrovcit: Humbëm një thesar kombëtar të kulturës

​Kurti dhe Basha pas vdekjes së Enver Petrovcit: Humbëm një thesar kombëtar të kulturës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, kanë shprehur ngushëllime të thella për familjen Petrovci, komunitetin artistik dhe gjithë dashamirët e artit, pas vdekjes së aktorit, regjisorit dhe pedagogut të njohur Enver Petrovci

Në reagimin e tij, Kurti vlerësoi thellësisht kontributin artistik dhe pedagogjik të Enver Petrovcit, duke theksuar rëndësinë e figurës së tij në zhvillimin e teatrit dhe filmit në Kosovë.

“Me dhimbje e pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit, regjisorit dhe pedagogut tonë Enver Petrovci. Kujtesa energjike dhe qartësia e mendimit e bënin të veçantë: në çdo takim përçonte frymëzim me liri shprehjeje, kurse me vështrime lucide e humor vitruoz ndriçonte çdo bisedë. Para veprës së tij shtrihet një kaleidoskop artistik i pamasë. Ai ishte themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit, profesor në degën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, i dashur për aq shumë gjenerata studentësh. Me rolet e tij të paharrueshme dhe profesionalizmin e përpiktë, ai e ngriti teatrin dhe filmin tonë në skenën vendore, rajonale dhe evropiane. Sot Kosova humbi një thesar kombëtar, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë, pasuri e përbashkët që institucionet tona dhe komuniteti i artistëve do ta ruajnë e përcjellin brez pas brezi. Ngushëllime të përzemërta familjes, kolegëve dhe të gjithë artdashësve”, tha Kurti në profilin e tij.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, përmes një telegrami ngushëllimi, e cilësoi Petrovcin si një ikonë të spikatur të artit shqiptar dhe një figurë të paharrueshme të skenës kombëtare:

“Me dhembje të thellë pranova lajmin për largimin në amshim të aktorit të mirënjohur, Enver Petrovci. Kosova dhe mbarë arti shqiptar sot humbën një nga figurat më të shquara të kulturës sonë. Enver Petrovci ishte dhe do të mbetet nga ikonat e spikatura të skenës dhe ekranit shqiptar, një aktor me shpirt të madh, me talent dhe me vepra të shumta që do të jetojnë ndër breza. Ai i dha jetë qindra personazheve, por mbi të gjitha i dha frymë teatrit, kinematografisë dhe artit tonë kombëtar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë popullore. Me këtë rast, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Petrovci, miqve dhe kolegëve të të ndjerit, dashamirëve të artit dhe mbarë komunitetit artistik. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit Basha.

Enver Petrovci ka ndërruar jetë sot në moshën 71 vjeçare. Petrovci ishte një nga figurat më të rëndësishme të artit skenik dhe kinematografik shqiptar.

Kontributi i tij i madh në themelimin e institucioneve artistike dhe edukimin e brezave të rinj të aktorëve e ka bërë atë një simbol të kulturës në Kosovë dhe më gjerë.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë