Sally Rooney nuk udhëton në Mbretërinë e Bashkuar, frikësohet se mund të arrestohet

Autorja irlandeze Sally Rooney nuk udhëtoi në Mbretërinë e Bashkuar për të marrë një çmim libri, pasi frikësohej se mund të arrestohej për mbështetjen e saj ndaj grupit “Palestine Action”, i shpallur organizatë terroriste nga qeveria britanike në korrik, pas dëmtimeve prej 7 milionë paundësh në dy avionë RAF, shkruan BBC.
Rooney, 34 vjeç, e cila fitoi çmimin Sky Arts për romanin Intermezzo, tha se nuk mund të hynte në Mbretërinë e Bashkuar “pa rrezikuar arrestimin” dhe tregoi mbështetje për protesta paqësore kundër luftës, duke shprehur solidaritet me popullin e Palestinës. Ajo përdori të ardhurat nga librat e saj dhe adaptimet televizive të “Normal People” dhe “Conversations with Friends” për të financuar grupin.
Qeveria e shpalli “Palestine Action” të ndaluar, duke e bërë pjesëmarrjen ose financimin e tij krim, me dënim deri në 14 vjet burg. Shumë protesta të grupit përfshijnë depërtime dhe shkatërrime, dhe rreth 30 persona po përballen me gjykim. Javën e kaluar, 890 persona u arrestuan gjatë një demonstrate kundër ndalimit në Londër.
Ministrja e Brendshme Shabana Mahmood theksoi se “mbështetja për Palestinën dhe mbështetja për një grup të shpallur terrorist nuk janë e njëjta gjë” dhe mbështeti arrestimet.
Bashkëthemeluesi i grupit sfidon ndalimin në Gjykatën e Lartë, ndërsa policia paralajmëron për pasojat e mundshme ligjore për mbështetësit.
