Gjergji: Fjala që Nënë Tereza e përmendi derisa ndërroi jetë ishte ‘bëj diçka për popullin tim’

Nënë Tereza kudo që shkonte dhe këdo nga personalitetet e botës që takonte e kishte një fjalë në buzën e saj ‘bëj diçka për popullin tim.
Kështu ka thënë vikari gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji në hapje të koncertit artistik me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Shën Nënë Terezës dhe 20-vjetorit të bekimit të gurthemelit të Katedrales që mban emrin e saj, Katedralja “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.
“Deri në vitin 1997 kur Nën Tereza ndërroi jetë e kishte një fjalë në buzën e saj kudo që shkonte e mendonte që mund të hyjë në punë. Shtrëngonte dorën e burrave dhe grave të pushtetshëm të kësaj bote duke i thënë bëj diçka për popullin tim. Kurse, nga viti 1997 kur ajo kaloi në amshim, ka shtrënguar dorën e Zotit dhe ka vazhduar të thotë të njëjtën fjalë, jam i bindur me fe, bën diçka për popullin tim , e në të vërtet me Nën Terezën, sjelli është ofruar më afër me popullit tonë. Thuhet se edhe populli jonë është ofruar më afër qiellit sepse i ofruam botës një nënë të bamirësisë, të mirësisë, të butësisë, vajtjes, shërbimit dhe sakrificës…..Nënë Tereza edhe tani pëshpërit zemrën e secilit prej nesh, bën diçka për popullin tonë, Lutu për ta. Ne nuk mund të bëjmë mrekullia të mëdha, por Zoti me ne dhe ne me bekimin e saj, mund të bëjmë vepra të vogla dashuri që janë vepra të mëdha për zemrat e njerëzve sepse dashuria është ajo e cila e zbut, e prek e nxit, e ngroh, e ngacmon, zemrën e njeriut”, tha ai.
Kurse, bashkeorganizatori i ngjarjeve që do të ndodhin gjatë një jave “Ditët e Nënë Terezës”, Skender Hasani tha se Nënë Tereza nuk zgjodhi famën e botës, por një jetë misioni për të ndihmuar ata që patën nevojë.
“Sot jemi bashkuar jo vetëm për të festuar ditëlindjen e një figure të madhe por për të përulur zemrat tona, para dritës së një jete të shndërruar në mision. Nënë Tereza, Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në Shkup nuk zgjodhi famën e botës, por misionin e shenjtë. Ajo na mësoi se lavdia e vërtetë nuk qëndron te titujt, por te dashuria që japim për të tjerët. Nga rrugicat e qytetit tone të lashtë, ku identiteti shqiptar ruajti rrënjët e thella, u nis një vajzë që do të bëhej nënë e botës. Ajo la pas rehatinë, familjen dhe çdo gjë personale për t’u bërë strehë përjetimet e Kalkutës, për të sëmurit dhe të harruarit, për ata që shoqëria i flaki tutje. Çdo hap i saj ishte një dëshmi e gjallë se shenjëtaria fillon këtu në tokë, aty ku ngrihej një i rrëzuar, ku ndahet një copë bukë, ku dhimbja kthehet në buzëqeshje. Nënë Tereza nuk u shqua vetëm si simbol i humanizmit, por edhe si ambasadore e vlerave Shqiptare në botë”
Gjatë kësaj ceremonie, Dioqeza Prizren-Prishtinë ka nderuar me mirënjohje Stane Gashin, e cila ndryshe njihet edhe si “nëna e UÇK-së”.
Ndue Gashi dhe heroina, gruaja e tij Stane Gashi, kishin 11 fëmijë, tri vajza e tetë djem. Tre prej djemve luftuan me armë në dorë nën uniformën e UÇK-së, ndërsa pjesa tjetër e familjes gjatë viteve 1998- 1999, në shtëpinë e tyre pritën mbi 300 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare.
Shtëpinë në fshatin Brus të Lipjanit familja Gashi e kishte kthyer në bazë të UÇK-së, armë, municion, fjetje, ushqim e pritje të ngrohtë aty gjetën shumë dëshmorë e udhëheqës të luftës së lavdishme për liri. Ndue Gashi ka vdekur, por në krye të sofrës dhe konakut qëndron Nëna Stane, Nëna e UÇK-së.
Aty u shfaq dokumentari për 20-vjetorin e bekimit të gurthemelit të Katedrales “Nënë Tereza”, në Prishtinë. Një historik i cili pasqyroi me fotografi dhe video momentet kyçe të ndërtimit dhe inaugurimit të këtij monumenti të shenjët, si dhe rëndësinë e tij për qytetin e Prishtinës dhe mbarë Kosovën. Dokumentari u fokusua gjithashtu në përkushtimin e Nënë Terezës dhe ndikimin e saj në bashkimin e besimeve dhe forcimin e vlerave universale të dashurisë dhe solidaritetit.
Për të shënuar këtë dyfish përvjetor, organizatorët e ngjarjes i dhanë një dimension të jashtëzakonshëm kulturor dhe shpirtëror koncertit solemn që u mbajt në ambientet e Katedrales.
Në skenë performuan artistë të njohur, të cilët me talentin e tyre interpretuan vepra muzikore dhe shfaqen një ndjenjë të thellë nderimi për Nënë Terezën. Pjesëmarrësit shijuan performancat e mezzosopranos Besiana Mehmedi, soprano-s Mariana Leka dhe tenor-it Gerald Murra, të cilët me vokalin e tyre të fuqishëm dhe të ndjerë mbushën ambientin e Katedrales. Po ashtu, bas-i Bledar Domi dhe pianistja Rudina Ciko sollën një shkrirje të përsosur muzikore që bëri jehonë në muret e këtij monumenti.
Dirigjenti i njohur Zhani Ciko, i cili udhëhoqi koncertin, bashkë me drejtorin artistik Shkodran Tolaj, realizuan një ngjarje të paharrueshme që i dha jehonë misionit dhe trashëgimisë së Nënë Terezës.
Përndryshe, koncerti artistik i cili është mbajtur në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në Prishtinë, shënon zyrtarisht fillimin e ”DITËVE TË NËNË TEREZËS” 2025.
