20 shfaqje do të jenë pjesë e Prizrenfest nga data 21 deri më 28 korrik

20 shfaqje do të jenë pjesë e Prizrenfest nga data 21 deri më 28 korrik

Edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur PrizrenFest do të mbahet sivjet nga data 21 deri më 28 korrik në Prizren.

Për tetë ditë, njëmbëdhjetë lokacione të shpërndara gjithandej qytetit do të shndërrohen në skena teatrore për të pritur mbi 20 shfaqje e performanca nga Palestina, Franca, Anglia, Italia, Greqia, Turqia, Bullgaria, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Kosova, raporton KosovaPress.

Programi i PrizrenFest përmban shfaqje për të rritur e për fëmijë si dhe një program edukativ.

Festivali fillon më 21 korrik nga ora 21:00 në Teatrin mbi Lumë, me shfaqjen e baletit “Muzg” nën koreografinë e balerinit shqiptar të njohur ndërkombëtar Eno Peçi, ndërsa përmbyllet me shfaqjen “Monologët e Gazës” nën regjinë e artistes palestineze Iman Aoun më 28 korrik nga ora 21:00 në Teatrin mbi Lumë.

Përgjatë tetë ditëve të festivalit, në Teatrin “Bekim Fehmiu” të Qytetit të Prizrenit do të jepen shfaqjet “Komedia e zezë” nga Kosova, “5 fytyrat e heshtjes” nga Shqipëria, “Unë jam vet grua” nga Kosova, “Drunks” nga Bullgaria.

Skena e ngritur në oborrin e Kishës së Zojës Ndihmëtare do të bëhet nikoqire e shfaqjeve “Elettra” nga Italia dhe “P’tit Jean Le Géant” nga Franca.

Në Amfiteatrin e Autostradës Bienale do të jepet shfaqja “Oedipus Rex” nga Greqia ndërsa “8%” nga Maqedonia e Veriut jepet në Autostrada Hangar.

Lidhja e Prizrenit do të bëhet skenë për shfaqjen “Oranges and Stones” nga Palestina, e Burgu i qytetit të Prizrenit për shfaqjen “Bëje ose vdis” nga Kosova, ndërsa që në Kejin pranë xhamisë së Sinan Pashës do të zë vend shfaqja “Unboxed – Unpacking Prejudice” nga Anglia.

Ekspozita “Teatri Ilegal” gjithashtu do të jetë e hapur përgjatë gjithë festivalit në hollin e Teatrit “Bekim Fehmiu”. Të gjitha shfaqjet e programit për fëmijë do të jepen në Teatrin mbi Lumë.

Hyrja në të gjitha ngjarjet e edicionit të PrizrenFest është falas.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë