Dështon projekti 6 miliardësh i Akon për qytetin futuristik

Dështon projekti 6 miliardësh i Akon për qytetin futuristik

Planet për ndërtimin e një qyteti futurist në Senegal, të ideuar nga këngëtari Akon, janë anuluar. Në vend të tyre, ai do të punojë në një projekt më realist, konfirmuan zyrtarët, sipas BBC.

“Projekti Akon City nuk ekziston më”, tha për BBC-në Serigne Mamadou Mboup, kreu i agjencisë shtetërore të turizmit, Sapco.

“Është arritur një marrëveshje për një projekt të realizueshëm që do të ketë përkrahjen tonë të plotë”.

Akon, i lindur në SHBA dhe i rritur pjesërisht në Senegal, kishte prezantuar në 2018 dy projekte ambicioze: një qytet prej 6 miliardë dollarësh dhe një monedhë digjitale të quajtur Akoin.

Qyteti ishte planifikuar të ndërtohej në një zonë prej 800 hektarësh në Mbodiène, rreth 100 km nga Dakari. Por pas pesë vjetësh, zona është ende bosh – me vetëm një ndërtesë pritjeje të papërfunduar dhe pa asnjë infrastrukturë funksionale.

Banorët lokalë shprehen të zhgënjyer: “Na u premtuan vende pune dhe zhvillim, por nuk ka ndryshuar asgjë”.

Monedha Akoin gjithashtu dështoi, dhe Akon pranoi gabimet në menaxhim: “E pranoj përgjegjësinë e plotë”.

Planet për Akon City përfshinin spitale, shkolla, qendra tregtare e energji të rinovueshme, por ndërtimet nuk ecën kurrë përpara.

Pengesat përfshinin mungesën e fondeve, probleme ligjore me përdorimin e kriptomonedhës dhe kundërshtimin e bankës qendrore të rajonit.

Përkundër dështimit, qeveria senegaleze thotë se tani po punon me Akon për një projekt të ri, më të realizueshëm, në të njëjtën zonë – që mbetet strategjike me afrimin e Lojërave Olimpike Rinore 2026 dhe rritjen e pritshme të turizmit.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë